Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se qëllimi i tij është që numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të reduktohet nën 100.

Në një intervistë për gazetën “Politika”, Daçiç tha se ka formuar një ekip njerëzish, i cili merret vetëm me çështjen e zvogëlimit të numrit të vendeve që kanë njohur Kosovën, duke theksuar se për të, ky është prioritet në aktivitetin politik të Serbisë.

I pyetur nëse ekzistojnë gjasat reale ta bëjë këtë, Daçiç tha se “garanton” diçka të tillë.
“I pari fillova të punoj në atë drejtim që vendet ta tërheqin njohjen … Njerëzit nga Fixhi nuk e kanë idenë se e kanë njohur Kosovën. Disa madje as nuk e kanë njohur, por ndodhen në listën që e ka ministria e jashtme e Kosovës”, tha Daçiç.

Ai shtoi se Ministria e Jashtme po punon për të reduktuar numrin e njohjeve, por edhe ministritë e tjera duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështje.

I pyetur nëse Kosova do të marrë një karrige në Kombet e Bashkuara, Daçiç tha se kjo “do të thotë që Serbia duhet t’i thotë Rusisë dhe Kinës që të mos luftojnë kundër hyrjes së Kosovës në OKB”.

“A mund të imagjinoni që unë ta bëj atë? T’i them Lavrovit dhe homologut tim kinez se unë deri tani jam tallur për këtë”, tha Daçiç, duke shtuar se për çështjen e Kosovës duhet të arrihet te një kompromis.

I pyetur nëse rezultati i këtij kompromisi mund të jetë që Kosova të marrë një karrige në OKB, Daçiç tha se kjo është e mundur, nëse pala serbe e pranon një gjë të tillë, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë ndryshe.

Duke komentuar rëndësinë e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, Daçiç tha se askush nuk e di se çfarë përfaqëson ajo marrëveshje.

Lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, ministri tha se mendon se nuk ka asnjë person në Bashkimin Evropian, i cili arsyeton faktin se Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin.

Daçiq tha se “BE do të bëjë presion për formimin e Asociacionit, sepse kjo është premtuar”. Shefi i diplomacisë serbe tha se varet nga pala serbe nëse më 20 prill serbët e Kosovës do ta formojnë Asociacionin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: