Pak ditë pas afatit të caktuar nga Bashkimi Evropian që Kosova dhe Serbia të dërgojnë propozimet e tyre lidhur me planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (18.07.2024), një deklaratë e kryeministrit serb, Milosh Vuçeviq, ka nxitur sërish reagime lidhur me vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje, për të cilën palët janë dakorduar vitin e kaluar.

Në një seancë të mbajtur më 24.07.2024 në Kuvendin e Serbisë, Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk ka nënshkruar e as nuk do të nënshkruajë diçka që konfirmon shtetësinë Kosovës.

“Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar Planin franko-gjerman. Ne s’e kemi nënshkruar këtë edhe kemi vendosur deklaratë të qartë dhe e kemi thënë qartë: çdo implikim, implicit ose eksplicit i njohjes së të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës është e papranueshme”, është shprehur ai.

Si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të Vuçeviqit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, e ka shpërndarë videon nga Kuvendi i Serbisë, dhe ka thënë se BE-ja duhet të bindet se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë.

Lidhur me ketë çështje Bashkimi Evropian ka përsëritur se palët janë të vetëdijshme për obligimet nga dialogu që kanë marrë përsipër për t’i zbatuar.

BE ka rikujtuar se marrëveshja i është bërë obligim Serbisë në kuadër të Kapitullit 35, në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb