Nga: JETON SELIMI*
Shpallja e falimentimit të Parmës, pasi nuk u gjet asnjë investitor për blerjen e këtij klubi, ka çliruar nga çdo detyrim kontraktual të gjithë lojtarët e kësaj skuadre, ndër të cilët edhe Andi Lilën. Futbollisti i Kombëtares shqiptare tashmë duhet të gjejë një skuadër të re, pasi Parma do të nisë gjithçka nga e para në nivelet më të ulëta të futbollit italian. Në fakt 6 muajt e fundit në klubin emilian kanë qenë mjaft pozitivë për 29-vjeçarin, që mundi të shënonte 2 gola në 11 ndeshje të Serisë A. Skuadra të ndryshme italiane në Serinë A, kërkojnë të sigurojnë shërbimet e mesfushorit energjik. Fillimisht mediat italiane shkruajtën për një interesim të Atalantës, ndërsa orët e fundit ka dalë në skenë edhe Karpi i sapongjitur në Serinë A. Skuadra nga Emilia-Romanja kërkon lojtarë cilësorë për të përballuar konkurrencën e fortë në elitën e futbollit italian, ndaj ka hedhur sytë nga futbollisti shqiptar. Për momentin palët janë në fazën e kontakteve, por gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë zhvillime të tjera që mund të përfundojnë me arritjen e një marrëveshjeje.
Por në këtë merkato vere duket se Seria A vishet kuqezi. Të paktën në një këndvështrim paraprak klubet elitare italiane synojnë të përfitojnë shërbimet e disa prej futbollistëve të Kombëtares Shqiptare, emrat e të cilëve janë lakuar si përforcime të mundshme të kësaj vere. Këtu mund të përmendim Taulant Xhakën për të cilin ditët e fundit është spekuluar shumë se mund të vishet vjollcë, duke lënë klubin e Bazelit për të ndjekur gjurmët e ish-trajnerit të tij portugezit Paulo Sousa drejt Fiorentinës, por mesa duket interesimi për të nuk mbërrin vetëm nga klubi vjollcë. Lacio është vënë në gjurmët e mesfushorit 24-vjeçar që këtë sezon shkëlqeu me kampionët e Zvicrës. Gjithashtu një tjetër emër që është lakuar tek bardhekaltrit është edhe ai i qendërsulmuesit Bekim Balaj. Deri më tani në klubin e Rijekas, ku kartoni i 24-vjeçarit shkodran vlerësohet me shifrën e 4 milionë eurove, kanë mbërritur oferta nga klube gjermane, por mesa duket interesimi i Drejtorit Sportiv Igli Tare mund të bëjë që Balaj të mbërrijë në Romë. Ndërkohë, Udineze është vënë në gjurmët e korçarit, Ergys Kaçe. Mesfushori 21-vjeçar që aktivizohet me PAOK-un në superligën greke mesa duket ka tërhequr vëmendjen e teknikut Stefano Kolantuono falë karakteristikave të tij. Një mesfushor mbrojtës i shkathët që me Kombëtaren Shqiptare numëron 2 gola në ndeshje miqësore si ajo me Armeninë dhe golin e fitores 1-0 në miqësoren me Francën që u zhvillua në 13 qershor në “Elbasan Arena”. Klubi jugor i Napolit nga ana tjetër duket se ka nisur tratativat me Empolin që në sezonin e ardhshëm të sjellë në San Paolo mbrojtësin Elseid Hysaj. Mesa duket mbrojtësi 21-vjeçar preferohet nga trajneri i ri Maurrizio Sarri.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: