Me sa duket “zbori” nuk ka dhënë frytet e veta dhe Lacio vazhdon të humbasë pikë, për më tepër në fushën e vet ku zakonisht ka bërë ndeshje shumë të mira. Skuadra e Thomas Strakoshës është ndalur në barazimin 2-2 përballë Sampdorias, me këtë të fundit që ka shënuar golin e barazimit në minutën e 99 të sfidës, me një gjuajtje “alla Ibra” të Saponarës. Në fakt, Lacio kishte bërë lojë shumë të mirë, por e pa veten në disavantazh në minutën e 21, kur Kualjarela shënoi me një devijim të saktë para Strakoshës që nuk mund të bënte asgjë. Më pas, në fushë ishte thuajse vetëm Lacio që krijoi dhe shpërdoroi raste të panumërta, derisa gjeti barazimin me Açerbin pas një goditje këndi në minutën e 79. Lacio ishte me shumë fat kur në minutën e 93-të fitoi penallti pas prekjes së topit me dorë në mur nga një futbollist kundërshtar dhe Imobile realizoi nga pika e bardhë. Por kur dukej gjithçka e mbaruar dhe pritej vetëm vërshëllima përfundimtare, vjen goli i çmendur i Saponara në minutën e 99, me një prekje “alla” Ibrahimoviç, i cili kaloi topin mbi Strakoshën dhe e ndali në rrjetë. Kjo vulosi barazimin 2-2 duke i hequr mundësinë skuadrës laciale që të rifitonte pozita në klasifikim në luftën për Ligën e Kampionëve. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb