Policia ka goditur një tjetër rast të trafikimit të heroinës, duke vënë në pranga një person. Aksioni është zhvilluar nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, ku është sekuestruar një pako me 500 gram heroinë, ndërsa është arrestuar 35-vjeçari N.K.

Sipas uniformave blu, ka qenë skanimi i mjetit tip “Renault”, që ka zbuluar lëndën narkotike, të fshehur në brendësi të tij. Kujtojmë që ky është rasti i dytë i kapjes së heroinës në Durrës brenda pak ditëve, pasi më 17 shtator u godit një tjetër rast i trafikut të drogërave të forta dhe u sekuestruan 11 kg heroinë, me destinacion Italinë.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër rast të tentativës për trafikim të drogave të forta
Sekuestrohet lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
Arrestohet në flagrancë një shtetas.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Pas analizës së riskut, kontrollit në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, duke përdorur edhe qenin antidrogë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në skaner mjetin tip Renault, me drejtues shtetasin N. K. dhe pas skanimit të mjetit, në brendësi të tij është dalluar një pako, e dyshuar se mund të kishte lëndë narkotike.

Menjëherë Policia Kufitare ka njoftuar grupin hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 pako, me peshë rreth 500 gr, me lëndë narkotike, e dyshuar heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. K., 35 vjeç, banues në Durrës. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: