Taekwondoja vitet e fundit ka ardhur duke u masivizuar në Shqipëri, me fëmijë dhe të rinj që afrohen gjithnjë e më shumë pranë këtij sporti. Në bazë të kalendarit vjetor, Federata Shqiptare Taekwondo World ka zhvilluar kampionatin kombëtar 2024 të dyluftimit për të rritur dhe për të rinj, aktivitet që u mbajt të dielën në sallën “Farie Hoti” në kryeqytet. Në kompeticion morën pjesë 15 ekipe nga e gjithë Shqipëria, me një numër total prej 120 sportistësh. Pas dueleve mjaft interesante dhe me rivalitet, u shpallën edhe sportistët më të mirë të aktivitetit për femra dhe meshkuj. Myrteza Xhebrahimi dhe Nejla Uruçi morën vlerësimin si sportistët më të mirë për të rritur, ndërsa Kristo Marku dhe Kristel Haxhi u shpallën më të mirët e kategorisë junior.

DOMINIM BARDHEBLU
– Tirana vijoi ecurinë e shkëlqyer në këtë sport, duke merituat titullin e radhës kampion për të rritur. Skuadra e bardheblu e trajneres Arjola Kasaj, e cila gjithashtu drejton edhe Kombëtaren, ruajti fronin e kampiones duke e dominuar kampionatin. Tirana u shpall, duke lënë pas Vllazninë në vend të dytë dhe Partizanin në vend të tretë. Armata bardheblu e taekwondosë prodhoi tetë kampionë: Ernest Merdanaj, Juirdo Cani, Egers Aliu, Adieni Bajrami, Fjola Balliu, Klarsia Merdanaj, Anja Malaj dhe Livia Zhegu. Paraqitje fantastike kjo për sportistët, të cilëve u shpërblehet puna e përditshme që bëjnë në palestër me trajneren Kasaj.

Përveç medaljeve të vendeve të para, gjithashtu edhe pesë sportistë të Tiranës u shpallën nënkampionë: Jusra Taleb, Enxhi Dedaj, Megi Malaj, Desara Duka dhe Ergi Lika. Klubi kryeqytetas regjistroi edhe pesë vende të treta: Erisa Kurushi, Bukurie Kanto, Besarb Hykollari, Sabri Levenishti dhe Gledis Sheshaj. Për sa i përket kategorisë junior, ndonëse nuk arriti të shpallej kampione, duke u klasifikuar në vend të tretë pas Studentit dhe Vllaznisë, Tirana regjistroi gjithashtu rezultatet të larta.

Bardheblutë nxorën 4 kampionë: Kidlin Kasaj, Sead Keta, Uesli Allamani dhe Ibrahim Hidri. Ndërsa siguruan gjithashtu edhe 3 vende të dyta: Amelia Levenishti, Dea Kokomiri dhe Orhan Hatibi, duke i shtuar edhe dy vende të treta: Danjel Gjeta dhe Orestis Gega. Theksojmë se paraqitjet në kampionatin kombëtar do të shërbejnë edhe në përzgjedhjen e përfaqësueses shqiptare që do të garojë në Europianin për të rritur muajin e ardhshëm në Serbi. Ernest Merdanaj shikohet si favorit potencial për tu futur në zonën e medaljeve, sportist, i cili disa javë më parë bëri një përfaqësim dinjitoz në kualifikueset e Lojërave Olimpike, ku për vetëm 2 pikë nuk mundi të rrëmbejë biletën për në “Paris 2024”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb