Holanda vijon të jetë skeptike për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pas ministrit të Jashtëm, edhe kryeministri Mark Rute ka dhënë sinjale për një bllokadë të Holandës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.

Në një konferencë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministri holandez është shprehur i shqetësuar për mungesën e progresit në Shqipëri, duke theksuar se vendi i tij do ta diskutojë çështjen e negociatave.

Mediet e huaja citojnë kryeministrin Rute, i cili ka thënë se Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë progres se Shqipëria.

“Pyesim veten se sa përparim ka bërë Shqipëria. Do ta shqyrtojmë çështjen në javët e ardhshme me partnerët tanë europianë. Por jemi të shqetësuar nga mungesa e përparimeve. Maqedonia e Veriut ka bërë më shumë, por diskutimet vazhdojnë”, ka deklaruar kryeministri.

Kujtojmë, që deri më tani Holanda është shprehur skeptike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Stef Blok, deklaroi se për çeljen e këtij procesi është ende herët dhe se rasti i Shqipërisë duhet të trajtohet më vete nga ai i Maqedonisë së Veriut.

Holandaa
Holandaa

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb