Vijojnë tensionet pranë KZAZ-ve në Shkodër. Opozita e Shkodrës, me në krye kryebashkiaken Voltana Ademi, është e vendosur për të mos lejuar zhvillimin normal të procesit zgjedhor, pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.


Këtë mesditë, tensionet po zhvillohen në KZAZ nr. 3, e cila ndodhet në shkollën “Shejnaze Juka”, aty ku pak ditë më parë pati përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë, që u shoqëruan me djegie e thyerje xhamash.


Raportohet se mbështetësit e PD, me të cilët ndodhet edhe kryebashkiakja Ademi, janë përplasur me forcat e policisë, duke iu kërkuar të lirojnë ambientet e KZAZ nga materialet zgjedhore.


“Po flasim në një emergjencë. Gjithsecili prej nesh duhet me i thirr koshiencës dhe mos me marrë urdhra politike”, ka thënë Ademi.

Ndërkohë, gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se kryebashkiakja ka shkuar te KZAZ nr. 3 së bashku me disa punonjës të Policisë Bashkiake, pasi sipas saj, punonjës të Policisë së Shtetit kanë hyrë brenda godinës.

Ademi kërkon daljen jashtë të efektivëve të Policisë së Shtetit, me pretendimin se nuk janë të autorizuar, pasi godina e shkollës është në pronës të Bashkisë së Shkodrës.