Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në shkollën “Servete Maçi” ndërsa tha se falë këtij investimi, nxënësit do të gjejnë një shkollë me kushte bashkëkohore dhe me të infrastrukturën e nevojshme për një proces mësimor model.


“Në 2011, plani i administratës së shkuar ishte ta mbyllte shkollën prej kushteve të rënduara dhe të lironte terrenin, nuk e di, për ndonjë pallat a diçka tjetër. Sa shpejt ndryshojnë gjërat, kur do të punosh për mirë! Bashkë me deputeten, me qeverinë, me të gjithë komunitetin e Njësisë 9, e kemi kthyer shkollën në një bizhu. Nëse shkolla “Kosova” mbahej si shkolla më e mirë e re, unë them se “Servete Maçi” e kalon me disa herë. Kemi parë bashki, ministri, por që ia mbërritëm ditës, që një ndërtesë publike, shkollë për fëmijët tanë, të jetë shumë herë më luksoze, shumë herë më cilësore, shumë herë në nivel më të lartë arkitekture e urbanistike, se ndërtesat publike të qeverisë dhe të Bashkisë, nuk e kishim menduar kurrë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se me ndërtimin e kësaj shkolle, i jepet frymëmarrje klasave në shkollat në Njësisë 8 dhe 9, duke shmangur edhe problemin e mësimit me dy turne. Duke qenë se “Servete Maçi” është një shkollë muzike, Veliaj ftoi të regjistrohen aty të gjithë të talentuarit, pasi do të gjejnë një shkollë me të gjitha kushtet e nevojshme.


“Dua të ftoj të gjithë banorët, jo vetëm të zonës, por edhe gjithë Tiranës, duke qenë se nuk është vetëm një shkollë lagjeje, por e gjithë qytetit, që të bëjnë përgatitjet e fundit për regjistrimet; ama, ne do të respektojmë kuotat, nuk do kalojmë mbi 600 nxënës, për t’u siguruar që shkollat e reja nuk pësojnë mallkimin e shkollave të vjetra. Sot kemi shkolla cilësore edhe tek “Kosova”, edhe tek “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, “Servete Maçi” e të tjera, që kanë filluar të ndërtohen, si “Nënë Tereza” në Kodër-Kamzë, “Kristo Frashëri” te “Don Bosko”, dhe besoj se vetëm duke krijuar një mjedis cilësor për çunat e gocat e qytetit tonë, kemi vënë bastin më të mirë e të sigurt për të ardhmen e këtij qyteti”, tha Veliaj.


Ndërkaq, deputetja e PS, Ogerta Manastirliu, njëherësh ministre e Shëndetësisë, tha se ndërtimi i kësaj shkolle është një premtim i mbajtur për banorët e Njësisë 9. Teksa falenderoi kryebashkiakun e Tiranës për këtë investim, ajo theksoi se kjo shkollë do t’i vijë në ndihmë gjithë komunitetit.

“Jam shumë e kënaqur që bashkia arriti ta përfundojë për hapjen e sezonit të ri shkollor. Jam e kënaqur jo vetëm sepse është një shkollë e cila ka standarde bashkëkohore, do të jetë një ndër shkollat më të mira në Tiranë, por sepse do të realizojmë po ashtu edhe atë që e kemi thënë: shkolla si qendër komunitare. Do i vlejë jo vetëm komunitetit të Njësisë 9, por gjithë komunitetit të fëmijëve të qytetit të Tiranës, pikërisht edhe për ato aktivitete jashtëshkollore që janë kaq shumë të nevojshme, të domosdoshme, për të pasur fëmijë sa më të kulturuar, përveç se sa më të arsimuar”, u shpreh Manastirliu.

Shkolla “Servete Maçi” do të ketë dhoma të dedikuara, si tek Liceu Artistik, bibliotekë cilësore, një palestër moderne, si dhe një auditorium që mund të përdoret nga nxënësit për eventet e koncertet e tyre apo nga prindërit dhe komuniteti për të bërë aktivitetet e tyre komunitare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb