TIRANE- Një ditë pas shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, kryeparlamentari Ilir Meta lëshoi disa mesazhe të forta për politikën shqiptare, ndërsa kryefjala ishte reflektimi. Meta theksoi rëndësinë e finalizimit të reformës në drejtësi.

“Në një ceremoni të jashtëzakonshme që e ndoqi e gjithë bota, kjo na bën mjaft krenar duke qenë se Papa Françesku dhe e gjithë media botërore përmendën faktin se ajo është shqiptare. Natyrisht që duke qenë dita e parë, është dhe një ditë reflektimi për të gjithë ne, për të dhuruar më shumë dashuri, për të kontribuar për më shumë solidaritet në shoqërinë tonë ndaj më të pamundurve, ndaj më të varfërve, ndaj atyre që u cenohen më shumë të drejtat e tyre dhe kanë nevojë për përkrahje dhe për mbështetje. Me pak fjalë do të thosha se është një ditë reflektimi edhe për politikën tonë, për humanizimin e saj dhe për t’i dhënë fund demonizimit të njëri-tjetrit dhe të politikës në përgjithësi. Pra, për të bërë një politikë në interes të njerëzve, ku ata të ndjehen gjithmonë të përfshirë, të përkrahur dhe të mbështetur në aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Meta.

Teksa u pyet për frymën e konsensusit, ashtu siç edhe u pa dje në Vatikan, gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, kryeparlamentari tha se kjo është detyra e maxhorancës. “Është detyra jonë që të jemi më të përgjegjshëm, më konstruktiv se deri tani. Sot ishte dita e parë e sesionit.”, pohoi Meta. Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro bëri të ditur se në ambientet e Kuvendit është hapur një ekspozitë me sende të Nënë Terezës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb