Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24 për një anë tjetër të turizmit dhe sezonit turistike që është shërbimi shëndetësor. Manastirliu sqaroi se janë 28 Qendra Shëndetësore verore që janë në punë 24 orë në ditë për 7 ditët e javës ku shërbejnë 157 mjekë e infermierë.

“Në kuadër të planit të masave të qeverisë në funksion të turizmit, patjetër është e rëndësishme që turistët të kenë kujdes shëndetësor. Qendrat Shëndetësore verore kanë nisur të funksionojnë që më 1 qershor dhe do vijojnë deri më 15 shtator. Janë 28 të tilla. Kemi vendosur të hapim dhe në Rrjoll qendrën 24/7 dhe vijojmë të unifikojmë shërbimet.



Vit pas viti është shtuar fluksi i qytetarëve që aksesojnë Qendrat Shëndetësore verore. Janë jetë njerëzisht të shërbyera. Nga 1 qershori deri më 7 korrik i kemi shërbyer mbi 9 mijë qytetarëve. Qytetarët kanë më tepër informacion. Aty shërbejnë mjekë dhe infermierë që në total janë 157 mjekë dhe infermierë. Mjekët kanë shprehur dëshirën për të punuar në këto qendra. Janë infermierë që nuk kanë ende një punë të stabilizuar. Në Qendrat Shëndetësore verore ndodhen dhe ambulanca”, informoi ministrja Manastirliu nga “Prestige Resort” ku është zhvendosur sonte “Dritare me Rudinën”.


(m.k/BalkanWeb)