Në mbledhjen e dytë të Task Forcës qendrore të turizmit, pas takimeve të vazhdueshme me komitetet rajonale të turizmit, në përgatitje të sezonit veror 2019, ministri Klosi thotë se situata në terren tregon se jemi ende larg zbatimit të vendimit të qeverisë për “Stacionet e plazhit”.  Për këtë arsye, si masë të shtuar për një sezon më të mirëmenaxhuar turistik, konform legjislacionit në fuqi, ministri Klosi bëri publik vendimin më të ri të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

“Kam urdhëruar që të ngrihet grupi i punës në rolin e task forcës me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për verifikimin dhe inspektimin e veprimtarive në stacionet e plazhit dhe strukturat akomoduese në zonat bregdetare. Veprimtaria e këtij inspektimi do të kryhet nga data 24.06.2019 – 20.07.2019”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, ky grup pune do të verifikojë kushtet e lejeve mjedisore në rastin e strukturave akomoduese; do të kërkojë respektimin e zonave ku duhet të ketë roje sigurie, kufizimet e zonave ku lejohet notimi dhe lëvizja e mjeteve të shpejtësisë; Do të kërkojë menaxhim korrekt nëpërmjet hapësirave publike dhe private të stacioneve të plazhit si edhe do të kërkojë me rigorozitet respektimin e zhurmave, përmes një plani të detajuar.

Në mbledhjen e Task Forcës, ku të ftuar ishin edhe gazetarë, drejtues dhe autorë të programeve të ndryshme televizive, ministri Klosi kërkoi verifikimin e lajmeve përpara transmetimit, pasi turizmi është një sektor i ndjeshëm, që kërkon kujdes përndryshe mund të ketë pasoja negative tek turistët.

“Ne i njohim problematikat, edhe urdhri që unë paraqita është një urdhër që vjen si pasojë e një sërë shkeljeve dhe problematikave që kanë të bëjnë me sezonin turistik. Por ama e kemi shumë të nevojshme që ju redaktorët e lajmeve, gazetarët në terren, drejtuesit e emisjoneve, të kemi një lloj pozitiviteti përsa i përket vlefshmërisë së lajmit, analizës së lajmit, verifikimit të lajmit, natyrisht kur janë lajme të verifikuara janë të mirëpritura dhe kritika është shumë e nevojshme, por po ashtu do të donim që ju të riktheni në vëmendje se në ato plazhe pushojnë me mijëra e mijëra turistë shqiptarë, miliona turistë të huaj, që nga një kronikë e paverifikuar mund të ndikohen negativisht. Unë e kuptoj sesa e vështirë është që kronikat positive të festive lokale, të festive ku njerëzit gëzojnë, ku tradita krijon festën e kanë të vështirë të gjejnë hapësirën në lajme të mbushura me protesta, por këtu duhet të fusim edhe dimensionin tonë patriotik për të pasqyruar shqipërinë turistike”, tha Klosi.

Fjala e ministrit Klosi:

Në fillim të mbledhjes së task forcës do doja të njiheshit me një vendim të MTM që kërkon ngritjen e grupit të punës dhe task forcën për verifikimin dhe inspektimin e veprimtarive në strukturat akomoduese dhe stacionet e plazhit. Nga inspektimet në terren vërehet se operatorët turistikë, pushteti local por edhe institucionet shtetërore që duhet të bëjnë kontrolle janë shumë larg realizimit të atyre çfarë VKM përcakton.

Ndaj, kam urdhëruar që të ngrihet grupi i punës në rolin e task forcës me përfaqësues të inspektoratit shtetëror të mjedisit, pyjeve ujërave dhe turizmit, agjencisë kombëtare të bregdetit, agjencisë kombëtare të mjedisit dhe agjencisë kombëtare të zonave të mbrojtura për verifikimin dhe inspektimin e veprimtarive të stacioneve të plazhit dhe strukturave akomoduese në zonat bregdetare. Veprimtaria e këtij inspektimi do të jetë nga data 24.06.2019-20.07.2019. verifikimi I kusheteve të lejeve mjedisore në rastin e strukturave akomoduese.

Do të duhet të përcaktojmë qartë nëse çdo stacion plazhi ka roje sigurie, kufizime të zonave ku lejohet notimi dhe lëvizja e mjeteve të shpejtësisë dhe po ashtu menaxhimi korrekt nëpërmjet hapësirave publike dhe private. Së bashku me ministrinë e rendit do të kemi një plan më të detajuar sa I përket zhurmave në stacionet e plazhit.

Ne i njohim problematikat, edhe urdhri që unë paraqita është një urdhër që ngrihet si pasojë e një sërë shkeljeve dhe problematikave që kanë të bëjnë me sezonin turistik. Por ama ne e kemi shumë të nevojshme që ju redaktorët e lajmeve, gazetarët në terren, drejtuesit e emisjoneve, të kemi një lloj pozitiviteti përsa i përket vlefshmërisë së lajmit, analizës së lajmit, verifikimit të lajmit, natyrisht kur janë lajme të verifikuara janë të mirëpritura dhe kritika është shumë e nevojshme që të vijë në drejtim të institucioneve që menaxhojnë turizmin, por po ashtu do të donim që ju të riktheni në vëmendje se në ato plazhe pushojnë me mijëra e mijëra turistë shqiptarë, miliona turistë të huaj, që nga një kronikë e paverifikuar mund të ndikohen negativisht. Unë e kuptoj sesa e vështirë është që kronikat positive të festive lokale, të festive ku njerëzit gëzojnë, ku tradita krijon festën e kanë të vështirë të gjejnë hapësirën në lajme të mbushura me protesta, por këtu duhet të fusim edhe dimensionin tonë patriotik për të pasqyruar shqipërinë tonë turistike.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb