MAL I ZI

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljovic firmosën sot në Mal të Zi Protokollin “Mbi bashkëpunimin gjatë sezonit turistik për vitin 2019”.


Në zbatim të këtij protokolli, Policia e Shtetit do të dërgojë në Malin e Zi 4 oficerë policie, dy prej të cilëve nga shërbimet e Policisë Kriminale dhe Strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e krimeve dhe dy të tjerë nga shërbimet e Rendit dhe Sigurisë Publike, për periudhën kohore deri më 31.08.2019. Ata do të kryejnë shërbimet e tyre në Stacionet Policore të Ulqinit dhe Budvës.


Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, së bashku me përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi, do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dhe parandalimin e veprave kriminale si: trafikimin e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm, prostitucionin, trafikun e lëndëve narkotike, mashtrimet me policat e sigurimit për mjetet motorike, mashtrimet me kartat e kreditit dhe me shkëmbimin e parasë, falsifikimin e parave dhe dokumenteve personale, prishjen e qetësisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore, forcimin e sigurisë në rrugë, etj.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Veliu dhe Veljovic kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin, që strukturat policore të Malit të Zi, kanë pasur me strukturat e tyre homologe në Shqipëri, gjatë sezoneve turistike dhe jo vetëm, si dhe rezultatet e arritura që prej vitit 2011, vit në të cilin është firmosur për herë të parë “Protokolli i bashkëpunimit gjatë sezonit turistik” midis Policisë Shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, që konsiderohet si një ndër shembujt dhe praktikat më të mira për tu ndjekur. Të dy Drejtorët e Përgjithshëm kanë rënë dakord që modele të tilla bashkëpunimi të aplikohen edhe në fusha të tjera, në shërbim dhe në të mirë të komunitetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb