Ilir Meta ka deklaruar të mërkurën në Pogradec se palët duhet të të gjejnë një zgjidhje dhe se ai është i gatshëm të sakrifikojë edhe postin që mban, atë të kreut të shtetit në emër të një marëveshjeje.

“…jam i gatshëm për hapa…që nga dorëzimi i mandatit tim si President, pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara…” tha ai.

Nëse nga shumëkush kjo deklaratë e fortë u pa si një rreshtim i kordinuar me bllokun opozitar Basha-Kryemadhi, sipas modelit ata dogjën mandatet edhe unë si kryetar shteti jam i gatshëm ta bëj këtë, ajo mund të interpretohet edhe në një mënyrë të ndryshme.

Si një kunjë direkte me kryeministrin apo si një antitezë totale me qëndrimet e Ramës.

Deklarata e Metës për “dorzim Mandati”, pra si largim nga presidenca, duhet shikuar e lidhur me një shprehje tjetër që gjendet në atë tekst të artikuluar në Pogradec: “unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta”.

Po cili është njeriu që nuk e ka sakrifikuar kurrë karrigen e tij.

Ilir Meta është nga ata politikanë që në të mirë apo në të keq, ka dhënë shumë dorëheqje në karrierrën e tij, jo vetëm kur ka qenë në PS por edhe si kryeministër apo zv kryeministër.

Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen edhe nga presidenca edhe nga kryesimi i PD-së.

Pandeli Majko ka ikur dy herë në mënyrë dinjitoze nga posti i shefit të ekzekutivit.

Lulzim Basha dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit për të kandiduar për bashkinë e Tiranës.

I vetmi njeri, ekskluzivisht i vetmi që ka plot 21 vite në politikë, i cili ka shkruar shumë tekste dorëheqjesh por asnjëherë të tijën, ai është Edi Rama.

Ai nuk dha dorëheqjen si ministër kulture, kur kandidoi në vitin 2000 për bashkinë e Tiranës (ndryshe nga Basha apo Olldashi).

Ai nuk dha dorëheqjen para zgjedhjeve 2009 nga kryebashkiak duke u bërë i vetmi kryetar partie që nuk kandidoi për deputet.

Ai nuk dha dorëheqjen as pasi i humbi zgjedhjet e këtij viti ,megjithëse këtë e kishte të sanksionuar në statutin e PS se kush humbet ikën.  Ai shpiku në këtë rasta kauzën e hapjes së kutive.

Ai shkoi edhe më tej, anulloi me referendum edhe garën për kryetarin e partisë më të madhe në vend.

Ai e rrefuzoi dorëheqjen edhe në kohën e çadrës kur dorëzoi gjysmën e qeverisë tek PD, por jo karrigen e tij.

Ai nuk e bëri atë as kur studentët e detyruan të shkarkonte plot 8 ministra.

Pra në dy dekada pa ndalim, Edi Rama është i vetmi politikan i lartë shqiptar që nuk e ka shkruar asnjëherë dorheqje e tij.

Vetëm po të dish këtë kronologji e kupton se ku rrihte Meta kur bëri deklaratën shpesh të keqkuptuar: Edhe mund të sakrifikoj mandatin tim për arritjen e një zgjidhjeje./ Lapsi.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb