Lot dhe festë në kampin bardheblu, më në fund në shtëpinë e Tiranës kanë një arsye për të gëzuar. Në Kurbin, pikërisht aty ku nuk kishin fituar asnjë herë këtë sezon, ekipi i Ard Memës arriti një fitore të pabesueshme, një tre pikësh jetik në objektivin e tyre për të qëndruar aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar. Kryeqytetasit këtë herë me tifozët në krah, ishin një skuadër e transformuar rrënjësisht, sigurisht jo në çdo aspekt pasi ende nuk kanë mësuar se si ekzekutohet një 11-metërsh. Mbijetesa tashmë është në dorën e tyre, Laçi konsiderohej pengesa më e vështirë, tashmë mjafton që në sfidën e fundit, atë kundër Flamurtarit në kryeqytet të mos humbasin.

Laçi-Tirana rezultoi një 90-minutësh fantastik, raste pa fund për shënim, penallti për të gjithë dhe katër gola të shënuar, rezultati 1-3 i rri ngushtë këtij takimi që nisi menjëherë me penallti që në minutën e 2-të. Majkëll Ngoo fitoi një 11-metërsh por makthi më i madh i ekipit kryeqytetas vijon të mbetet në fuqi, nuk dinë të shënojnë nga pika e bardhë e penalltisë. Këtë herë ai që gaboi ishte Kobina. Tirana ushtroi një presion asfiksues në zonën e Laçit dhe në minutën e 6-të arritën të kalonin në avantazh. Kobina këtë herë bëri rolin e shërbyesit, dhuroi një asis për Grecën i cili u tregua i saktë duke kaluar Tiranën në avantazh. Enea Jorgji mori rolin e protagonistit në këtë pjesë të parë teksa në minutën e 15-të akordoi një tjetër penallti, këtë herë në favor të Laçit. Ndriçim Shtubina nuk u tregua i saktë, me Likën që bëri heroin duke mbajtur në lojë avantazhin e Tiranës. Majkëll Ngoo edhe një herë tregoi peshën e tij në sulmin e bardhebluve, në minutën e 36-të ftoi Kobina të realizonte golin e 2-të për ekipin e Memës.

Tirana zbriti në pjesën e dytë më e zbehtë, sigurisht avantazhi i dyfishtë bërë që të kujdeseshin më shumë për tu mbrojtur. Laçi shtoi presionin në zonën e Likës dhe në minutën e 60-të arrin të thyenin gardianin bardheblu. Atë që nuk bëri dot nga 11 metra distancë, Ndriçim Shtubina e bëri pas një veprimi fantastik nga Xhixha, topi përplaset në tranversë për tu rikthyer më pas në këmbët e shkodranit që nuk fali duke ngushtuar diferencat në 1-2. Me Laçin të hedhur përpara, Tirana flirtoi në më shumë se një herë me golin e tretë. Pas rastit të pastër të shpërdoruar nga Greca, i cili goditi traversën, Edon Hasani shënoi dhe golin e tretë për Tiranën, një super gol i shkodranin që dërgoi në dëlir tifozët bardhblu. Për të vulosur një kapitull të dështuar në këtë sezon të Tiranës, një çështje kaq shumë të diskutuar, atë të penalltive, mendoi Majkëll Ngoo. Në minutën e 85-të ishte gjigandi anglez ai që gaboi nga 11 metra distancë, një penallti e shpërdoruar por që nuk pati asnjë ndikim në rezultatin final, Tirana festoi për këtë fitore të pabesueshme që i afron dhe më shumë me objektivin e tyre më të vyer, sigurimin e një biletë për në elitën e futbollit shqiptar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb