Nga Federiga Bindi
Kriza e Katalonjës do të jetë sfida më e madhe me të cilën Evropa përballet, që nga luftërat e Ballkanit, dhe mund të shpjerë në fundin e Spanjës ashtu si e njohim.

Katalonja është e ndarë. Spanja është e ndarë. Fjalimi i Mbretit Felipe VI ishte i papërshtatshëm. Ai duhej të kishte folur në të dyja gjuhët – në fund të fundit ai e flet rrjedhshëm gjuhën katalane dhe është princ i Barcelonës. Ai duhej të kishte bërë thirrje për dialog mes të dy palëve, por në vend të kësaj, zgjodhi të qëndrojë në favor të Pallatit Moncloa.

Ndonëse presidenti katalanas Carles Puigdemont është përgjegjësi kryesor për krizën, Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ka transformuar atë që përndryshe do të ishte një referendum i njëanshëm, jokushtetues dhe i kotë, në një fitore të madhe për separatistët. Pasi kanë parë fotografitë e pleqve të gjakosur, qytetarët që dikur ishin indiferentë ndaj idesë së ndarjes, tani e mbështesin plotësisht atë.

BE dhe shtetet e saj anëtare duhet të shtyjnë me vendosmëri të dyja palët drejt një zgjidhjeje të negociuar – ndoshta, një Katalonjë më të decentralizuar, që mbetet brenda shtetit spanjoll. Separatistët duhet të kuptojnë se një Katalonjanë e pavarur nuk do të jetë kurrë pjesë e BE dhe do të humbasë shumicën e pasurisë së saj. Qeveria e Madridit duhet të përballet me faktin se një Spanjë pa Katalonjën, do të humbasë edhe fuqinë dhe peshën e bisedimeve formale dhe joformale në Bruksel. Të dy Puigdemont dhe Rajoy duhet të japin dorëheqjen dhe t’u japin të tjerëve detyrën e negociatave. Nëse të dy udhëheqësit mbeten në pushtet, rreziku final është një konfrontim i dhunshëm: një vdekje e rastësishme është gjithçka që do të duhej.

* Studiuese në Shkollën e Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare në Universitetin John Hopkins /Carnegie Europe – Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: