Egnatia luan nesër një ndeshje të rëndësishme, që mund të vendosë jo pak për fatet e këtij sezoni sa i përket vendit të parë. Siç dihet, rrogozhinasit duan të shkojnë në “Final 4” si skuadra e vendit të parë, ndaj edhe përballja me Vllazninë merr një rëndësi të veçantë. Një fitore ndaj tyre i jep një dorë për këtë objektiv, ndërsa çdo rezultat tjetër e vë në dyshim.
Për këtë arsye, në kampin e kampionëve e kanë marrë seriozisht dhe shpresojnë të dalin me maksimumin e mundshëm. Pak ditë më shumë në dispozicion për shkak të ndalesës nga ndeshjet e Kombëtares i kanë dhënë mundësi trajnerit të eksperimentojë sa mundet për shkak edhe të mungesave të detyruara.
MBROJTJA NJË REBUS – Duket se me shkodranët problemi më i madh për ekipin e Tetovës do të jetë pikërisht sajimi i prapavijës. Jo pak, por bëhet fjalë për katër mungesa të detyruara, praktikisht një repart i tërë. Alijev me Fangajn janë me kartonë, ndërsa Malota me Ndrecën për arsye dëmtimi, edhe pse ky i fundit ka dhënë sinjale rikthimi.
Të përballesh me rivalin kryesor pa “mbrojtje” nuk është një sipërmarrje e lehtë, por mbetet për t’u parë se cilat do të jenë lëvizjet e durrsakut në këtë aspekt. Ajo që shqetëson më shumë janë krahët, sepse mungojnë futbollistët tipikë që mund të zëvendësojnë dyshen Fangaj-Ndreca.
Ndaj mund të thuhet se Tetovës i janë “prerë krahët” ndaj shkodranëve ditën e nesërme dhe nuk do ta ketë rrezikshmërinë që pritej në luftën me daljet në krah dhe krosimet në zonë. Gjithsesi, në këtë repart pritet të luajnë Sota, Dylis dhe Xhemajli, duke u kthyer praktikisht sërish në mbrojtjen me tre. Gjithsesi, Tetova u bë javë që nuk e ka skuadrën të plotë dhe duket sikur është mësuar me këtë situatë. Tani mbetet për t’u parë se cilat do të jenë lëvizjet dhe spostimet e durrsakut për të marrë maksimumin e tij nga skuadra në këtë ndeshje.