Nga: DR. JORGJI KOTE*
Lufta frontale kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar po dëshmon se suksesi i saj përfundimtar kërkon shumë më tepër se shtimin e masave dhe aksioneve policore, të sigurisë dhe ushtarake. Sepse ajo nuk ka të bëjë vetëm me beteja të ashpra trupash dhe armësh, por në radhë të parë me luftën për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve, sidomos të rinisë. Veç luftimeve në terren në Siri, Irak dhe gjetkë, ajo po ndodh kudo, edhe në media, sidomos në rrjetet sociale, në familje, kopshte, shkolla, në kisha dhe xhami, madje dhe në burgje. Kjo e keqe e madhe do të çradikalizojë edhe forcën e fjalës, të frymës, imazhit, kolektivitetit dhe solidaritetit mbarëplanetar, të vlerave më të mira të qytetërimit bashkëkohor.
Ndaj Franca, Britania e Madhe, Belgjika dhe vende të tjera po i shoqërojnë përherë e më tepër veprimet e tyre ushtarake dhe policore me programe dhe projekte civile, paqësore, arsimore, edukative, kulturore, artistike, sportive, fetare etj. Ato janë pjesë e katalogut të larmishëm të së ashtuquajturës “Fuqia e Butë” (Soft Power). Sipas Joseph Nye, politolog i shquar amerikan, autoritet i vërtetë në këtë fushë që tani është dhe në shqip, “Fuqia e Butë” është aftësia për të joshur, tërhequr dhe bindur, veçse për qëllime pozitive me forcën e ideve, imazhit, kulturës etj. E kundërta e saj, “Hard Power” ose “Fuqia e Ngurtë”, siç mund të thuhet në shqip, ndryshe si “fuqi shtrënguese, detyruese, normative ose materiale”. Krahas armëve, kërcënimeve ushtarake, masave dhe sanksioneve ekonomike, “Fuqia e Ngurtë” realizohet edhe me traktate, ligje e rregulla, të cilat nga ana e tyre simbolizojnë “germat”. Ndërsa “Soft Power” njihet edhe si “fuqi përshkruese, sociale, jomateriale ose shpirtërore”. Senatori i famshëm amerikan, autori i programit të mirënjohur të bursave për studime në SHBA, J. William Fulbright shprehet se “mirëkuptimi i ideve tuaja nga njerëzit krijon më shumë siguri sesa nëndetëset”. “Arsenali” i “Fuqisë së Butë” është shumë më i pasur dhe i pamundur të shterohet në një shkrim të vetëm. Por, fare shkurt aty kanë vendin e tyre fjala, ngjyrat, idetë, imazhi, reputacioni, arti, letërsia, muzika, sporti, moda, bukuria, kulinaria, bota e kafshëve të buta, natyra etj.
Komponent i saj madhor është diplomacia zyrtare bashkë me dimensionet e saj publike, e kulturës, qytetare etj. Duke iu referuar historisë moderne, me “mrekullinë” ekonomike të viteve ‘50, Gjermania Perëndimore u bë “vitrinë” joshëse dhe bindëse për mbarë botën dhe sidomos në pjesën lindore të Gjermanisë. Për të ndaluar dhunshëm dyndjen e tyre drejt Portave të Brandenburgut, më 13 gusht 1961 regjimi i Honekerit ngriti Murin e Berlinit. Ky i fundit nuk u shemb me luftë, apo me topa dhe me tanke; themelet e tij u tronditën qysh kur Kenedi bëri pohimin emblematik aty pranë Murit: “Unë jam berlinez” dhe kur nobelisti legjendar W. Brandt doli me “Ostpolitikën” e famshme, dy shembuj këta të spikatur të magjisë së “Fuqisë së Butë” .
Historia botërore por dhe ajo e vendit tonë ka plot shembuj, kur përfaqësues të spikatur të “Fuqisë së Butë”, personalitete të ndritura të kulturës, muzikës dhe artit botëror, kanë pasur e vijojnë të kenë po atë, madje fuqi më të madhe morale se perandorë, gjeneralë, biznesmenë dhe politikanë të mëdhenj. Greqia e lashtë u shqua, sa për prijësit dhe heronjtë e saj spartanë, aq dhe për Homerin, filozofët dhe qytetërimin e saj rrezatues. Pranë perandorit Bonapart qëndron dhe Talleyrand, ky “mbreti i diplomacisë”, me gjenialitetin e ideve, me peshën vigane të fjalës. Në Rusi thuhet se ka pasur dy “Carë” të mëdhenj: Nikolla dhe Tolstoi. Në Angli, Shekspiri qëndron mbi Wellingtonin dhe Nelsonin, të mëdhenj dhe legjendarë siç ishin. Bethoven, Gëte dhe Schiler janë në majë të piramidës së gjermanëve të mëdhenj, politikanëve të njohur në botë – Bismarck dhe Adenauer. Kurse dinastia muzikore “Shtraus” është e pakonkurrueshme nga çdo perandori e çdo lloji në Austri dhe më gjerë! I tillë mbeti dhe Gandi me lëvizjen e famshme të mosbindjes civile. Duke u kthyer në Shqipëri, rilindësit tanë të mëdhenj dhe përfaqësuesit e tyre më të shquar, Naimi, Migjeni, Fishta dhe tashmë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, Agolli etj., renditen krahas luftëtarëve të mëdhenj të lirisë; madje, me veprën e tyre të njohur dhe në botë, ata i kanë ndërkombëtarizuar këta heronj, duke e bërë më të prekshme shkëlqimin e veprës së tyre. Ndër shembujt më proverbialë të “Fuqisë së Butë” është pa dyshim Nënë Tereza, vepra dhe mirësia e së cilës “pushtoi” botën mbarë.
Shembuj të kësaj force magnetike kanë dhënë e po japin edhe mbretër, princër e princesha të shquara. Ndaj, me të drejtë thuhet se, nëse dikur monarkitë ishin epiqendra dhe simbole të “pushtetit absolut”, sot, edhe pse pa pushtet real ekzekutiv, ato po kthehen në simbole të “Fuqisë së Butë”, nëpërmjet fjalës, stilit të jetës, imazhit, simpatisë dhe modelit që krijojnë. Mjaft liderë të shquar kanë mbetur dhe janë kthyer në ideatorë, mendimtarë, aktivistë të paqes e dialogut, shkrimtarë, poetë, artistë, muzikantë etj. Churchilli, falë gjenialitetit të tij si politikan e ushtarak, por dhe orator e publicist, konsiderohet “Cezar në luftë dhe Ciceron në paqe”. Ndërsa Nelson Mandela, edhe gati 20 vjet pasi nuk ishte më president i Afrikës së Jugut, ishte dhe mbeti një mit i rrallë njerëzor dhe “mbret” i humanizmit. Presidenti i nderuar dhe i ndjerë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rrugova, ky “Gand i Ballkanit”, ishte shkrimtar dhe kritik letrar i njohur.
Dy nga rastet më të freskëta të “Fuqisë së Butë” që këtë radhë lidhen me njerëz të thjeshtë janë, nobelistja 16-vjeçare Malala, e cila para dy vitesh sfidoi plumbat dhe kërcënimet e talebanëve me laps, me libër dhe me zellin e pamposhtur për dije dhe emancipim; ndërsa “Charlie Hebdo”, falë dhe solidaritetit të botës së qytetëruar, doli në treg me 4 milionë kopje me logon planetare “Unë jam Charlie”, duke shënuar fitoren e saj të parë në betejën e sotme historike. Këta dhe të tjerë shembuj tregojnë se “Fuqia e Butë” është tejet e fuqishme. Jo rastësisht, yje të artit, kulturës dhe sportit njihen dhe me terma të leksikut të “Hard Power” – “legjenda”, “carë”, “perandorë”, “monarkë”, “titanë”, “mbret dhe mbretëreshë”, “gjigantë”, “megadiva” etj. Por dhe “Fuqia e Butë” ka ofruar alternativat e saj. Në mesin e viteve ‘80, bëri përshtypje kur Gorbaçovi e zëvendësoi doktrinën “Brezhnjev” me atë “Sinatra”, nisur nga kënga e tij e famshme “My way”; çka nënkuptonte se secili vend lindor do të ecte në kursin e vet. Ndërsa në vitin 2003, liderët e disa vendeve pjesëmarrëse nuk po binin dakord për emrin e një projekti të madh gazsjellësi. Problemi u zgjidh shumë shpejt, pasi ata asistuan në shfaqjen e operas “Nabucco” në Vjenë, kur ata e “pagëzuan” projektin me emrin e kësaj opere të famshme të Verdit.
Përvoja po tregon se këto dy “pushtete” e kanë efektivitetin më të madh kur përdoren së bashku, duke krijuar kështu konceptin e ri modern të “Fuqisë Inteligjente” (Smart Power) Ai u përdor gjerësisht nga administrata Clinton në vitet ‘90 dhe pas vitit 2007 edhe më gjerësisht nga administrata e Obamës. Një shembull tipik i këtij kombinimi, edhe pse me problemet e veta, është BE-ja, që lindi dhe u zgjerua si “Fuqi e Butë”, pa kurrfarë detyrimi, falë forcës së saj tërheqëse dhe bindëse. Më vonë, BE–ja filloi të marrë dhe tipare të “Fuqisë së Ngurtë”, nëpërmjet direktivave, traktateve dhe rregullave të shumta që ajo vendosi për funksionimin e vet, si dhe të masave dhe sanksioneve shtrënguese, deri te shkurtimet e mëdha financiare të viteve të fundit. Për pasojë, pranohet gjerësisht se ka një zbehje jo të vogël të “Fuqisë së Butë” të BE-së, sidomos te rinia. Në këto kushte, ajo po rishikon programet dhe strategjitë e saj, duke e vënë theksin sidomos në rritjen ekonomike, punësimin, në projekte të reja sociale etj., për të rifituar terrenin e humbur dhe për t’u bërë më shumë tërheqëse e bindëse në të ardhmen.
Por, edhe në fushën ushtarake ka jo pak komandantë dhe gjeneralë, të cilët janë shquar edhe në realizimin e proceseve paqësore. Sa për ilustrim, po i referohem gjeneralit të shquar amerikan George Marshall, i cili pas lufte u bë kryediplomati i saj. Ai u bë i pavdekshëm me planin e famshëm të ndihmave për demokracitë perëndimore në vitin 1947 që mban emrin e tij. Për këtë u nderua edhe me çmimin “Nobel” të paqes. Krahas shembujve të lartpërmendur pikantë, “Fuqia e Butë” është pjesë përbërëse e jetës sonë të përditshme dhe në të gjitha veprimet e ndryshme, përfshirë dhe ato diplomatike. Me të drejtë, në kuadrin e reformave tërësore dhe të shtetit të së drejtës po punohet shumë për hartimin dhe zbatimin e rregulloreve, ligjeve, testeve, shkurtimeve etj; po kështu jepen dhe bëhen gjoba, sanksione, dënime, ndëshkime, qortime, paralajmërime për pushim nga puna etj.
Mirëpo, përvoja tregon se konsensusi i nevojshëm për suksesin e çdo lloj reforme kërkon shoqërimin e këtyre masave të nevojshme në mënyrë optimale me instrumentet e “Fuqisë së Butë” – bonuse dhe shpërblime materiale, por dhe njohje, vlerësime, promovime, stimuj dhe forma të tjera të ngjashme të dobishme. Këtu nuk ka receta të gatshme dhe, veç burimeve të nevojshme financiare, mbi të gjitha kërkohet fantazi dhe shpirt krijues. Vitin e kaluar, me rastin e 20-vjetorit të krijimit të parkut më të madh zoologjik kinez në Evropë, pranë Hainaut, në Belgjikë, ku banojnë në harmoni 5.000 kafshë të rralla, Kina i dhuroi Belgjikës dy nga arinjtë e saj më të mirë panda. Meqenëse kjo specie është rralluar së tepërmi dhe kërkon kujdes të jashtëzakonshëm, dhurimi i tyre u konsiderua shenjë e madhe besimi dhe “moment historik” në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve; kjo tashmë njihet si “diplomacia panda”. Ndaj, në aeroportin e Brukselit dy pandat u pritën me protokoll shtetëror nga kryeministri belg dhe paria politike e vendit. Pak ditë më vonë ato i vizituan mbreti i Belgjikës dhe presidenti kinez. Brenda një viti, ato janë vizituar nga rreth 2 milionë vetë, më shumë se çdo atraksion apo veprimtari tjetër. Dhe kini parasysh se në këtë rast nuk ka kufizime moshore, kulturore, etnike etj.
Forma dhe veprimtari të tilla të panumërta që “presin radhën” për veprim nuk mungojnë as në vendin tonë. Kjo listë, që mund të fillojë me vlerat dhe traditat e shumta në fushën e artit, kulturës, muzikës, me modelin tonë të spikatur të bashkëjetesës fetare, është e gjatë dhe arritjet nuk mungojnë. Ato dëshmojnë, veç të tjerash, për rezervat dhe mundësitë e shumta, forcën e vërtetë të “Fuqisë së Butë” dhe kombinimin e saj më të mirë me “pushtetet e tjera”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: