Endri Shabani, kreu i Nisma Thurje, në “Opinion” në News24 tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, ndërsa theksoi se kjo Gjykatë interpreton Kushtetutën.
Referuar mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Shabani tha se Kushtetuta e thotë qartë se deputeti nuk mund të përfitojë nga asetet apo fondet publike.
Shabani tha se në demokraci, institucionet kufizojnë pushtetin e atij që është në krye. “Ku dallon diktatura nga demokracia? Në diktaturë ai që është në krye merr çdo vendim, pra ka pushtet të pakufizuar”, tha Shabani. Ai u shpreh se Kryeministri që nga koha kur ishte Kryetar Bashkie ka bërë përpjekje për të shkatërruar institucionet.
“Edi Rama ka krijuar idenë se po iku pensionistët nuk do të marrin pensionet. Pra njerëzit kanë filluar të mendojnë se ky fut dorën në xhep dhe jep lekët e pensioneve. Ka zero respekt për institucionet, reflekton një vullnet diktatorial”, tha Shabani.
Ai tha se duhet larguar si mentalitet kjo mënyrë qeverisjeje. “Me këtë mentalitet ne jemi duke shkuar në greminë, po shkatërrohen themelet e institucioneve”, tha Shabani.
Ai tha se duhen krijuar institucione që duhet t’i shërbejnë qytetarit.