KOSOVE

E pranishmë në festën tradicionale të Abetares së Përbashkët “Ne festojmë të bashkuar”, mbajtur sot në Prizren, ministrja e Arsimit, Besa Shahini , u ndal shkurtimisht në reformën që po kryhet në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

“Një ndër gjërat që po krijojmë është krijimi i bazës së hapave të parë drejt një përafrimi me Akademinë e Shkencave në Kosovë me synimin që një ditë të kemi një akademi shqiptare që është autoriteti më i lartë i shkencës për të gjithë shqiptarët. Ky është një synim yni i përbashkët për ta zhvilluar në vijim”.- tha Shahini ndërsa vuri theksin në bashkëpunimin mes Shqipërisë e Kosovës në fushën e Arsimit.

“Që para se të vija në krye të MASR, ka nisur një proces për unifikimin e kurrrikulave. Sot kemi një plan-program që përdoret si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kemi një Abetare dhe shumë libra të njëjtë. Dhe së bashku me Ministrin Shyqiri Bytyqi kemi synimin të shkojmë drejt një unifikimi total që ka të bëjë me arsimin parauniversitar. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme për të rritur cilësinë e arsimit shqip jo vetëm në rajon, por tek të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Me trajnimin e mësuesve në të dy vendet, duhet të arrijmë në atë pikë që një mësues nga Kosova të mund të japë mësim në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithsesi kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera, ministrja shqiptare foli edhe për “Programin e Shkëmbimit të Nxënësve mes Shqipërisë e Kosovës”, realizuar për herë të këtë vit. “120 nxënës në total nga të dy vendet realizuan bashkërisht përgjatë 2 javëve proceset mësimore dhe zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore. Programi i kaloi në mënyrë tejet pozitive pritshmëritë tona dhe në vjeshtën që vjen synojmë të dyfishojmë si kohën e programit, ashtu edhe numrin e nxënësve pjesëmarrës”, theksoi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb