Nga: JETON SELIMI*
Shalke 04 ka vendosur që ta mposhtë me gjuhën e milionave kon-kurrencën e skuadrave të tjera që ishin të interesuara për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj. Napoli apo edhe Lacio kanë qenë dy ekipet që kanë dueluar në distancë mes tyre, ndërsa Empoli, skuadra që zotëron dhe kartonin e shkodranit, kërkon të paktën 4 milionë euro që ta lërë të lirë mbrojtësin, i cili nën drejtimit e Sarrit, ka shpërthyer këtë sezon në Serie A. Pikërisht Mauricio Sarri, ish-trajneri i tij tek Empoli, ka marrë stolin e Napolit dhe ka kërkuar Elseidin në skuadër. Fakti se Hysaj edhe njëherë do të bashkëpunonte me Sarrin, kësaj radhe për një fanellë të kaltër me më shumë peshë në Apenine, e vendosi Napolin në krye të listës për të përfituar shërbimet e mbrojtësit që luan në të dy krahët e fushës. Por Hysaj ka pasur pëlqime dhe në Gjermani dhe dje, sipas portalit të merkatos “tuttomercato. web”, Shalke është futur me prepotencë në betejë mes Napolit dhe Lacios, duke rritur pazarin për Hysajn. Nëse Lacio nuk shkonte përtej 3.5 milionë eurove dhe Napoli donte ta ulte diçka më poshtë se 4 milionë euro faturën e lojtarit, Shalke ka rritur pazarin në 5 milionë euro, duke e bërë që Empoli të mos u rezistojë milionave. Sipas portalit në fjalë, nëse konfirmohet kjo ofertë, Napoli dhe Lacio nuk do kenë më shanse për të mposhtur gjigantin gjerman.
Xhaka
Paulo Sousa merr me vete Taulant Xhakën te Fiorentina. Është ky lajmi i bujshëm që përcjell portali i njohur italian “Tuttomercatoweb”, i cili në fakt u referohet mediave që qëndrojnë pranë klubit vjollcë. Shumë shpejt 44-vjeçari portugez do të zyrtarizohet si trajneri i ri i Fiorentinës dhe me sa duket Paulo Sousa ka nisur që tani nga puna dhe së bashku me drejtuesit e klubit nga Firence ka piketuar disa lojtarë për të përforcuar skuadrën. Çdo trajner ka futbollistët e tij të preferuar dhe për ish-lojtarin e Interit dhe Juventusit është Taulant Xhaka i pari në listën e dëshirave. Sipas portalit “firenzeviola.it”, 24-vjeçari shqiptar do të ishte përforcimi ideal për Fiorentinën në krahun e djathtë të mbrojtjes, pa harruar këtu që Taulant Xhaka është një lojtar polivalent, pasi mund të përshtatet në disa role të ndryshme, dhe këtë aftësi të tijën e ka treguar ndër vite, fillimisht te Bazeli dhe më pas te Kombëtarja kuqezi. Përves si mbrojtës i djathtë, ai mund të luajë edhe si mesfushor shkatërrues, mesfushor krahu dhe mbrojtës qendre. Taulant Xhaka është rritur shumë si futbollist gjatë sezonit të fundit te Bazeli nën drejtimin e Paulo Sousës dhe trajneri portugez dëshiron me çdo kusht ta transferojë atë te Fiorentina. Gjithsesi, klubi vjollcë, për të bindur Bazelin të lejojë largimin e 24-vjeçarit nuk do ta ketë aspak të thjeshtë. Faqja e specializuar e transferimeve të futbollistëve, “transfermarkt. de” e vlerëson kartonin e Xhakës 2,5 milionë euro, por Bazeli, që ka një kontratë me futbollistin deri në vitin 2018, kërkon pothuajse dyfishin e kësaj shume për të ndezur dritën jeshile për largimin e 24-vjeçarit të Kombëtares kuqezi. Në këtë sezon me Bazelin, Taulant Xhaka zhvilloi në total 40 ndeshje, duke shënuar dhe 1 gol, ndërkohë që me Shqipërinë numëron 4 ndeshje që nga viti 2014, kur edhe debutoi me fanellën e Kombëtares.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: