TIRANE

Personat që shihni në këto foto janë Erjon Llapushi dhe Sajmir Fraholli, të cilët prej më shumë se dy muajsh ndodhen në qelitë e paraburgimit. Ata dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përmes shantazhit e dhunës kanë detyruar biznesmenë të ndryshëm nga Pogradeci t’u dhurojnë aksione në kompanitë e tyre.

Në dosjen e prokurorisë që disponon News24 janë zbardhur dëshmitë e aksionerëve të kompanive, ku iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilën vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve. Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, pasi ndiheshin të rrezikuar për jetën e tyre dhe të familjarëve. Ata kanë informuar prokurorinë se për këtë shkak kishin pezulluar edhe punën.

Prokuroria për Krime të Rënda ka dyshime se pjesëtarët e grupit që vijojnë të jenë në arrati po kërcenojnë biznesmenët që të tërheqin dëshmitë e tyre e për këtë arsye ka kërkuar ndihmën e policisë. Në dokumentet zyrtare të sekuestruara nga prokuroria rezulton se dy të dyshuarit Llapushi e Fraholli i kanë tjetërsuar një pjesë të aksioneve duke ua dhuruar personave të tretë gjithashtu me precedentë penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb