TIRANE- Tre adoleshentë janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi nëpërmjet shantazhit me foto intime i kanë marrë një 14-vjeçareje dhe familjes së saj rreth 40 milionë lekë të vjetra. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë ish-tregut “Dinamo” në kryeqytet.

Pasi kishin siguruar foto intime të 14-vjeçares me inicialet G. J, tre adoleshentët Riger M. 15 vjeç, Ernaldo Leka 18 vjeç, dhe Eros S. 17 vjeç, në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar nga vajza shuma të konsiderueshme parash.

Me datën 1 qershor, 14-vjeçarja ka depozituar në Policinë e Tiranës një kallëzim penal ku ka rrëfyer se që prej muajt mars me anë të mesazheve të dërguara në rrjetin social “Instagram”, dhe në telefonin e saj është kërcënuar nga persona të paidentifikuar që t’i dorëzojë sende me vlerë dhe shuma parash.

Për këtë fakt është vënë në dijeni dhe familja e të miturës e cila ka pranuar që të japë shumën e parave të kërkuara nga adoleshentët në këmbim të mos publikimit të fotove.

Por pavarësisht se paguan rreth 4 milionë lekë, tre adoleshentët kërkonin sërish para të tjera.

Rreth orës 10:00 të mbrëmjes së të hënës, specialistët e Sektorit për Krimet e Renda ndaj Jetës dhe Pronës bënë të mundur arrestimin e tre shtetasve, të cilët u kapën pranë tregut në rrugën “5-Maji” gjatë kryerjes së tentativës për marrjen e 500.000 lekëve të reja në formë gjobe nga e dëmtuara.

Në cilësinë e provës u materiale u sekuestruan tre aparate celulare që këta shtetas po përdornin gjatë komunikimeve të tyre në rrjetet sociale, për marrjen e gjobës.

Ndërkaq vijojnë hetimet për të gjetur se ku i kanë fshehur paratë që i kanë marrë familjes së vajzës me banim në rrugën e “Dibrës” në kryeqytet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb