TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar bibliotekën digjitale universitare. Në fjalën e tij, Rama ka shigjetuar pedagogët dhe dekanët, duke thënë se duhet bërë njëherë e mirë ndarja e pedagogëve sharlatanë “doktor shkencash” nga ata që meritojnë të gjithë respektin për dijet dhe punën që bëjnë.

Për Edi Ramën, në universitet duhen bërë ndryshime radikale, ndërsa fajësoi rektoratin për disa problematika që hasen në fakultete. Rama foli edhe për transparencë të titujve akademikë, ndërsa shtoi se pikërisht për “transparencën e titujve akademikë”, Rektorati po hesht. Kreu i qeverisë tha se studentët duhet të vlerësojnë performancën e pedagogëve.

“Ne do të mundohemi dhe të bëjmë transparencë. Pedagogët e mirë do të ndahen nga ata sharlatanët. Kjo bëhet përmes pikave që ne kemi menduar. Rektorati nuk ka bërë ndonjë gjë në drejtim të transparencës së titujve akademikë. Edhe për problematika të tjera, Rektorati bën sikur nuk dëgjon. Tjetër pikë që do të vendosim, bazuar në kritere ndërkombëtare, është që studentët të vlerësojnë punën e pedagogëve. Gjithashtu, do të shihet edhe problematika e shitjes së librave në këmbim të notës. Por këtë s’mund ta bëjmë ne si qeveri, se duket e njëanshme, por duhet ta bëjë universiteti. Ne do të ndërhyjmë në legjislacion dhe do marrim përgjegjësi. Kjo nuk është më e mira, por nuk mund t’i lëmë fëmijët e këtij vendi në pikë të hallit”, vlerësoi Rama.

Ai prezantoi bibliotekën digjitale “Ulibrary.rash.al”. Rama tha se biblioteka do të ketë informacion për të gjitha fushat. Kryeministri shtoi se objektivi i qeverisë për bibliotekë digjitale u realizua brenda afatit.

“Ne si qeveri po mbajmë një premtim për të pasur bibliotekë digjitale universitare. UT tashmë është me bibliotekë digjitale. Kjo do të ndihmojë çdo student apo studente për të gjetur informacion për gjithçka që ata dëshirojnë. Ne po bëjmë gjithçka që studentët duan dhe na kanë kërkuar. Ka ardhur koha që ne t’i referohemi ligjit për Arsimin e Lartë  për Rektoratin. Rektorati është vendi ku duhen zgjidhur problemet dhe jo aty të ketë probleme. Tani duhet që Ministria e Arsimit të ndërhyjë, për shkak se rektorati i UT nuk ka pasur vullnet për të qenë me kërkesat e studentëve”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se do të rishihen kuotat për çdo degë, ndërsa do të bëhet më tepër për arsimin profesional. Ai tha se duhet që kuotat t’i përgjigjen tregut, e do të shikohet mundësia e planëzimit.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb