Nga viti 2000-2010, rreth 248 mijë të mitur, kryesisht vajza, disa prej tyre 12 vjeçe, u martuan në Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar, shteti veri-lindor i Delauerit u bë i pari që ndalon martesën e personave nën 18 vjeç. Studimet tregojnë se pjesa më e madhe e adoleshentëve, të cilët detyrohen nga rrethanat të martohen, ndeshen me vështirësi financiare dhe ritme më të larta divorci. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti na njeh me dy të reja që u martuan në moshë të mitur dhe po kalojnë përvoja të ndryshme.

Dy vajza të reja, të martuara për të njëjtën arsye, por tani jetojnë jetë krejt të ndryshme. Katie është e martuar me Benin. Ajo e thërret me dashuri: “plaku im”. “Ai është thuajse një moshë me babain tim”.  Gjatë shkollës së mesme, Katie mbeti shtatzënë me vajzën, Zena. Beni ishte 30 vjeç dhe kërcënohej me akuza për përdhunimin e një të miture. “Ai mund të përfundonte në burg. Duhet të martohesha me të. Ndoshta tingëllon sikur nuk duheshim, por në fakt ishim të dashuruar. Thjesht nuk ishte momenti i duhur,” tregon Katie.

“Fillimisht na përmendën abortin, por unë ua preva shkurt. Le të bëhet ç’të bëhet. Do të shkoj në burg. Pastan na përmendën martesën, mamaja e saj ishte dakord,” tregon Beni.

Por mamaja hezitonte: “Isha shumë e mërzitur. Në atë kohë po kaloja edhe probleme të miat,” tregon nëna e vajzës, Evelyn. Nëna e Katiet ra dakord për martesën mes vajzës 16 vjeçare dhe Benit 30 vjeçar. Pam Straëbridge është zyrtare në gjendjen civile në komunën Pemiscot County. Ajo është zyrtarja që autorizoi martesën mes çiftit Burns. Kjo kasafortë ka mijëra çertifikata martese.

“Më duket më ka ardhur një 13 vjeçare që donte të martohej. Për të vënë kurorë duhet të shkojnë në gjykatë dhe të marrin një dokument. Zakonisht kur vijnë këtu vajza është shtatzënë,” thotë zonja Straëbridge.

Këto janë çertifikata martese të vajzave adoleshente të martuara në këtë zyrë gjatë viteve të fundit. Gjysma prej tyre jetojnë në shtete të tjera, por vinin këtu pasi në këtë komunë kishte ligje të buta për martesat e të miturve. Prandaj Ben Burns erdhi nga Tenesi me të dashurën për të vënë kurorë në Mizuri.

Në klasë të 9-të, Ashley Duncan ishte në autobusin e shkollës kur pa tezen që i tha të zbriste: “Sot do të shkojmë të vësh kurorë,” – i tha tezja. “Dëgjova psherëtimat e nxënësve të tjerë që u tronditën. Të gjithë më pyesnin si po martohesha kaq e vogël,” tregon Ashley.

Ashtu si Katie, Ashley kishte mbetur shtatzënë dhe i dashuri i saj ishte në rrezik burgu për marrëdhënie me një të mitur. Ashley la shkollën. Ajo lindi dy djem para se të ndahej nga bashkëshorti. “Më vjen keq për veten. Më duket se kam flakur kot një pjesë të mirë të jetës. Nuk duhet të kishte ndodhur kështu. Sikur dikush të më kishte thënë se po bëja zgjedhjen e gabuar, sikur të më kishte treguar me shembuj se gjërat nuk do të ecnin”.

Dy vajza që thonë se nuk e gëzuan rininë, ndeshen tani me rrugë të ndryshme në jetë. Ashley po përpiqet të divorcohet nga bashkëshorti: “Do ta kem të vështirë të siguroj kujdestarinë e fëmijëve,” thotë Ashley.

Katie punon si kryeguzhinjere, ndërkohë që kujdeset për vajzën e saj dhe djalin e burrit nga një marrëdhënie e mëparshme. Shtëpia e familjes Burns gjithnjë gumëzhin, plot me kafshë shtëpiake, plot me dashuri. Megjithatë, çifti Burns thotë se duan që jeta e vajzës së tyre të ecë ndryshe: “Nuk më pëlqeu si zgjidhje as kur u martova me Katien. Nuk ka si të më pëlqejë për vajzën,”thotë Beni. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb