Shtetet e Bashkuara e akuzuan të hënën Sirinë për vrasjet e përditshme masive të të burgosurve dhe djegien e trupave të tyre në krematoriume të mëdha jashtë kryeqytetit Danask.

Departamenti i Shtetit tha se çdo ditë rreth 50 të burgosur varen në burgun Sejdnaja dhe se më pas regjimi i Presidentit Bashar al-Assad i çon trupat në krematorium, me synimin për të mbuluar faktin e vrasjeve masive.

Diplomati kryesor amerikan për Lindjen e Mesme, Stuart Jones, tha se regjimi i Damaskut “ka kryer një tjetër mëkat”, me marrjen e ndihmës ushtarake të Rusisë dhe Iranit, dy vende që kanë mbështetur qeverinë e Assadit në luftën 6-vjeçare kundër grupeve të ndryshme rebele të opozitës. Gjatë këtyre viteve janë vrarë rreth 400 mijë njerëz.

Zoti Jones nuk e akuzoi Moskën për përfshirje në aktin e krematoriumit, duke thënë se Departamenti i Shtetit nuk i kishte paraqitur fakte për vrasje masive zyrtarëve rusë.

Por ai tha se Shtetet e Bashkuara “bisedojnë vazhdimisht me Rusinë lidhur me problemin që ka krijuar mosdënimin prej tyre të vrasjeve në Siri dhe toleranca e tyre ndaj krimeve në Siri. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë ruse që të mbajë përgjegjës regjimin sirian për këto krime,” – tha zoti Jones.

Presidenti Donald Trump muajin e kaluar urdhëroi një sulm me raketë në Siri, pas akuzave se regjimi i Damaskut ka përdorur armë kimike ndaj civilëve.

I pyetur në se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e një sulmi të ri për të shkatërruar krematoriumin, zoti Jones ju përgjigj se siç ka thënë zoti Trump, Shtetet e Bashkuara “nuk kanë për të dhënë sinjale për veprimet e tyre”. Ne jemi duke folur për këto fakte, për t’ia bërë ato të njohura komunitetit ndërkombëtar, që ne shpresojmë se do të ushtrojë presion ndaj regjimit sirian, që ai të ndryshojë sjelljen.”/VOA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb