Dialogu ka ngecur që kur Kosova në nëntor të 2018 vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Që atëherë ka pasur përpjekje të deshtuara që të takohen për negociata Kosova dhe Serbia.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në bisedimet Kosovë-Serbi tani për tani nuk ka ndërmarr asnjë tentativë që palët t’i kthejë në tavolinë. Mirëpo, në një përgjigje për lajmi.net, BE dhe SHBA kanë kërkuar që 100 përqindëshi të pezullohet menjëherë dhe të rifillojë dialogu.

“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së / nënkryetarja Mogherini do të rishqyrtojë Dialogun kur palët janë gati të rifillojnë diskutime thelbësore. Siç tha kohën e fundit përfaqësuesja e Lartë / Zëvendës Presidentja e BE-së: “Si Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e dialogut dhe të ecin përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore që do të bënte normalizimin e plotë të marrëdhënieve”. Dhe pastaj ajo vazhdoi “Kjo do të ishte gjithashtu mënyra më e mirë për të garantuar që i gjithë rajoni të përfitojë nga pajtimi, që do të thotë nga integrimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik në rajon”, thuhet në përgjigjen që ka dhënë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiç.

Në përgjigje thuhet se: BE së bashku me të gjitha Shtetet Anëtare dhe SHBA, i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë menjëherë tarifat në mënyrë që të lejojë rifillimin e shpejtë të Dialogut.

Kocijançiq i thotë lajmi.net se taksa është pengesa e vetme që po e pengon dialogun dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Nuk ka alternativë për rifillimin e shpejtë të Dialogut ndërmjet Palëve. Tarifat jo vetëm që qëndrojnë në rrugën e Dialogut, por edhe qëndrojnë në rrugën evropiane të Kosovës”, thotë BE.

Sido qoftë BE thotë se edhe Serbia duhet të kryej obligimet e saja:

“Serbia duhet të bëjë pjesën e saj, duke përfshirë edhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, për të nxitur një mjedis të favorshëm për Dialogun.”

Thirrja e BE-së, Koncijançiq thotë se është urgjente duhet e përshkuar situatën e tanishme të paqëndrueshme.

“Përfundimi i procesit të normalizimit është urgjent sepse situata e tanishme jo vetëm që nxit paqëndrueshmërinë por gjithashtu do të thotë mundësi humbjeje. Do të thotë humbje e investimeve të huaja. Status quo nuk është i qëndrueshëm. Rritja ekonomike varet nga besimi i investitorëve, besimi në të ardhmen, besimi në marrëdhëniet e mira fqinjësore, besimi tek autoritetet publike duke u fokusuar në klimën e biznesit dhe duke e kthyer faqen e trashëgimisë së së kaluarës”, tha zëdhënësja e BE-së për lajmi.net.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa herë janë shprehur të prera në qëndrimin e tyre drejtuar qeverisë së Kosovës përsa i përket taksës ndaj Serbisë, mirëpo këto thirrje nuk u dëgjuan nga Qeveria e Kosovës.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës është vendosur më 21 nëntor të 2018.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe darka e fshehtë që u bë më 19 qershor në Berlin, ku lajmi.net raportoi ekskluzivisht, ku pati një takim mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim palën kosovare e kanë përfaqësuar dy njerëzit më besnik të kryeministrit Haradinaj, ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

BE-ja është përfaqësuar nga Angelina Einhorst ( drejtoreshë për Evropën perëndimore, për Ballkan dhe Turqi nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, Gjermania nga Dr. Jan Heckert (këshilltar për politikë të jashtme i kancelares Merkel), ndërsa Franca nga Alexandre Adam ( zëvendës këshilltar për Evropë nga Zyra e presidentit Macron).

Sido qoftë Samiti i Parisit dështoi pasi Kosova refuzoi të pezullojë taksën ndaj Serbisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb