Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë “disa mijëra” ushtarë shtesë në Lindjen e Mesme për të shtuar sigurinë dhe për t’u përgatitur për të mbrojtur Izraelin nëse është e nevojshme, njoftoi Pentagoni të hënën.
Forcat shtesë do të përbëhen nga pjesëtarë të disa njësiteve të aeroplanëve luftarakë, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.
Ky vendim vjen pas sulmeve të fundit në Liban dhe vrasjes së drejtuesit të Hezbollahut Hassan Nasrallah, një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës në Lindjen e Mesme, kësaj radhe ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
Trupat shtesë do të përfshijnë pjesëtarë nga njësitet e aeroplanëve luftarakë F-15E Strike Eagle, F-16, A-10 dhe F-22 dhe ekipet shoqërues për të mbështetur ata. Aeroplanët luftarakë pritej të zëvendësonin njësitet që tashmë janë të vendosura në Lindje të Mesme. Por tani ato që janë atje dhe njësitet e reja do të qëndrojnë së bashku për të dyfishuar fuqinë luftarake ajrore në këtë rajon.
Të dielën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu njoftoi se do të zgjasë përkohësisht qëndrimin e aeroplanmbajtëses amerikane “USS Abraham Lincoln” dhe njësiteve shoqëruese në rajon.