Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën se prokurori i përgjithshëm Merrick Garland ka mospërfillur Kongresin duke mos dorëzuar një regjistrim zanor të intervistës së presidentit Joe Biden, për çështjen e dokumentave të klasifikuara. Ky është hapi më i fortë dhe më i fundit i ndërmarrë nga ligjvënësit republikanë ndaj Departamentit të Drejtësisë, ndërsa debati partiak në lidhje me çështjet e funksionimit të shtetit ligjor mbizotëron zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Votimi 216 pro dhe 207 kundër u bë përgjithësisht sipas linjave partiake, ndërsa ligjvënësit republikanë e mbështetën iniciativën megjithë rezervat e shprehura më herët nga disa prej tyre. Vetëm një ligjvënës republikan votoi kundër – ligjvënësi David Joyce nga shteti Ohajo.

Prokurori i përgjithshëm Garland bëri një deklaratë të mërkurën vonë, duke u shprehur se “është thellësisht zhgënjyese që Dhoma e Përfaqësuesve e ka shndërruar një autoritet serioz të Kongresit në një mjet politik. Votimi i sotshëm neglizhon ndarjen e pushteteve, Departamenti i Drejtësisë duhet të mbrojë hetuesit e tij, si dhe sasinë e madhe të informacionit që u kemi dhënë komisioneve të Kongresit”.

Ai shtoi se do ta ngrejë gjithnjë zërin “në mbrojtje të Departamentit, punonjësve dhe misionit jetik në mbrojtje të demokracisë sonë”.

Zoti Garland bëhet kështu prokurori i tretë i përgjithshëm që shpallet në mospërfillje të Kongresit. Por, ka shumë pak gjasa që ndaj zotit Garland të ngrihen akuza nga Departamenti i Drejtësisë, të drejtuar nga ai vetë. Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të përdorur imunitetin e ekzekutivit për të mos dorëzuar regjistrimin zanor në Kongres, do ta bënte shumë të vështirë ngritjen e një çështjeje penale ndaj zotit Garland.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: