Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me Komisionin e Posaçëm anti-Korrupsion që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.

Përmes një deklarate, SHBA shprehet se si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

“Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion ka në përbërjen e tij 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Kjo e fundit deri më tani ka bojkotuar punën e komisionit, që drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj.

Lidhur me Komisionin ka pasur aludime se ai është ngritur për të vendosur nën kontroll SPAK, një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë së re, që ka si mision luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb