Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.
Në një deklaratë për mediat, pasi mori pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë
Kurti tha se të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, tha ai..
Më tej ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.
“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.
Ka qenë SHBA dhe BE ata që kanë kërkuar shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.
Vendimi për targat ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve që ndodhën në veri të vendit.
Qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i konvertojnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.