Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri një demonstrim të dronëve të rinj shpërthyes të dizajnuar për të goditur objektiva, njoftoi media shtetërore të hënën, ndërsa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë duke kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Fotografitë e testimit nga Koreja e Veriut shfaqën një dron të bardhë në formë të shkronjës ‘X’ që supozohet se po godiste dhe shkatërronte një objektiv që ngjasonte me tankun kryesor të Koresë së Jugut, K-2.

Shumica e dronëve luftarakë qëndrojnë larg objektivave dhe lëshojnë raketa.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) tha se testimi i së shtunës përfshinte lloje të ndryshme të dronëve të ndërtuar për të fluturuar në distanca të ndryshme për të sulmuar objektivat e armikut në tokë dhe det, duke fluturuar përgjatë rrugëve të ndryshme para se të godisnin saktësisht objektivat, raporton AP.

Pas testimit, Kim u zotua të përshpejtojë zhvillimin e dronëve që shpërthejnë kur përplasen, kryejnë zbulime ose sulmojnë objektiva nën ujë për të përmirësuar gatishmërinë luftarake të vendit të tij, duke thënë se ushtria e Koresë së Veriut duhet të pajiset me dronë të avancuar “sa më herët që të jetë e mundur”, raportoi media shtetërore.

Testimi i dronëve u bë në kohën që ushtria e SHBA-së dhe ajo e Koresë së Jugut po kryejnë një stërvitje masive, e cila do të vazhdojë deri të enjten.

Stërvitjet përqendrohen në përmirësimin e gatishmërisë kundër kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe përfshijnë simulime kompjuterike të luftës dhe trajnim me armë zjarri, me një stërvitje të përbashkët ajrore që përfshin 60 avionë luftarakë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb