Shtetet e Bashkuara thanë se e mirëpresin ndalimin e cisternës me ngarkesë iraniane, nga ana e marinsave britanikë, në afërsi të Gjibraltarit. “Lajm i shkëlqyer. Britania e Madhe ka ndaluar cisternën Grace të ngarkuar me naftë iraniane dhe që kishte cak Sirinë, në kundërshtim me sanksionet e BE-së”, ka thënë Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton.

“Amerika dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të parandalojnë regjimet në Teheran dhe Damask të përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme”, shkroi ai. Anija, u ndalua 4 kilometra në jug të Gjibraltarit, në atë që Britania i konsideron ujërat e saj territoriale, megjithëse Spanja – e cila ende pretendon territorin – thotë se ato janë ujërat spanjolle.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borell, tha se konfiskimi i anijes – Grace 1 – u bë me kërkesën e SHBA-së. Teherani e ka quajtur aksionin si “ndalim të paligjshëm”. Irani, ka thirrur ambasadorin britanik për t’u ankuar, në atë që Teherani thotë se është konfiskim i paligjshëm i një cisterne iraniane të naftës.

Konfiskimi i transportuesit vjen në një kohë të tensioneve të larta midis Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në maj të vitit 2018, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Irani nënshkroi me fuqitë botërore dhe filloi ri-vendosjen e sanksioneve që u lehtësuan në këmbim për uljen e programit bërthamor të Teheranit.

Ditë më parë, Irani rrëzoi një dron amerikan dhe tashmë ka bërë të ditur se do të rrisë nivelet e uraniumit të pasuruar, duke nxitur reagimin e vendeve perëndimore. SHBA-ja ka thënë se “kurrë nuk do ta lejojë Iranin të posedojë armë bërthamore.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: