Departamenti Amerikan i Financave ka vendosur sanksione kundër më shumë se 400 individëve, kompanive dhe organizatave për shkak se produktet e tyre ndihmojnë luftën e Rusisë dhe në mesin e atyre të sanksionuar janë kompani nga Turqia dhe Hungaria.

Zëvendëssekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Wali Adeyemo, tha se vendosja e sanksioneve përfaqëson një vazhdimësi të angazhimeve të marra nga presidenti amerikan, Joseph Biden dhe kolegët e G7 për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe kanalet e pagesave të kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë.

Tani, për herë të parë, një kompani hungareze është gjetur gjithashtu nën sanksione. Për nevojat e prodhuesit të aeroplanëve Sukhoi dhe përmes kompanisë ruse Exiton, kompania hungareze Matrix Metal dërgoi çelsat e integruar elektronik në Rusi. Gjithashtu, kompania hungareze u dërgon rusëve komponentë të shumtë elektronikë përmes një ndërmjetësi në Qipro, shkruan abcnews.

Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e aseteve dhe fondeve në SHBA, që përfshin kompanitë që janë në pronësi të shumicës ose tërësisht nga individë të caktuar. Siç është raportuar në Uashington, Departamenti i Thesarit po synon një numër “rrjetesh transnacionale”, duke përfshirë ato të përfshira në prokurimin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake për Rusinë, transmeton Telegrafi.

Format më të zakonshme të shmangies së sanksioneve dhe ndihmës së kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë janë prokurimi për oligarkët rusë përmes kompanive offshore, pastaj ofrimi i shërbimeve për themelimin e kompanive, evazioni i sanksioneve nga kompanitë e sektorit të IT, pastrimi i arit i oligarkëve rusë dhe, më e rëndësishmja, prokurimi i makinerive të avancuara dhe komponentëve elektronikë.

Në shpjegimin e vendimit për sanksionet në rubrikën “prokurimi i municioneve”, shtetasi italian Giulio Sfoglietti dhe shtetasi turk, Hayri Tahirbeyoglu përmenden si persona të përfshirë në furnizimin me Rusinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb