Autoritetet federale amerikane njoftuan sot sekuestrimin e rreth 16 ton kokainë në një anije mallrash në portin e Filadelfias, një operacion i përshkruar si një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e SHBA-së.


”Kjo është një nga sekuestrimet më të mëdha të lëndëve narkotike në historinë e SHBA-së”, njoftoi prokurori federal i Filadelfias, William McSwain. Një sasi e tillë kokaine mund të vriste miliona persona, thuhej në një postim të tij në Twitter.


Kokaina ka një vlerë tregu prej më shumë se 1 miliard dollarë. Anëtarët e ekuipazhit të anijes janë arrestuar dhe u vunë nën akuzë, ndërkohë ka nisur një hetim i gjerë për këtë çështje.


Droga u zbulua në shtatë kontejnerë në një anije mallrash, MSC Gayane, e ankoruar në zonën e portit të Filadelfias, sipas disa raporteve të medias lokale.(Ata)