Ka sot një luftë të vërtetë tregtare mes SHBA dhe Kinës, që është pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e marrëdhënies mes këtyre dy shteteve e fuqive më të mëdha e që përfaqësojnë dy ekonomitë më të mëdha në botë, që përfshin në brendësi të saj interesa thelbësore, që afektojnë jo vetëm ecurinë e marrëdhënies mes tyre, por edhe zhvillimet botërore në tërësi. Kina është aktualisht fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, pas SHBA, që rivalizon realisht për t’u bërë fuqia e parë më e madhe ekonomike në botë.

Kjo ambicie është shumë e rëndësishme brenda strategjisë e programit të saj të statusit e rolit të saj si superfuqi botërore, që presupozon rivalitetin e ndarjen e rolit e të fuqisë me SHBA. Në dallim nga Rusia, Kina është shfaqur më e përmbajtur, më e kujdesshme, më strategjike, në synimin që t’i arrijë plotësisht objektivat që ka përcaktuar, në materializimin e një roli esencial superfuqie botërore në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Me një strategji të udhëhequr nga filozofia, tradita, historia e vet dhe pragmatizmi, me formësimin e një modeli të zhvillimit ekonomik, politik e social, me karakteristika specifike kineze, që përfaqëson një përzierje të koncepteve komuniste, por edhe të pragmatizmit e ekonomisë së tregut, Kina ka mundur të mundësojë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe me rritje të lartë ekonomike, që i ka mundësuar pa konflikte e qëndrime të ashpra, një rol të dukshëm qartë në zhvillimet botërore. Ajo tashmë ka një rol konkret në Azi, të dakordësuar edhe me SHBA, që nga presidenca Obama.

Po kështu, Kina pa u ndjerë shumë ka punuar me vendosmëri për të shtratuar një rol të saj në Paqësor, ku ka përfshirë një fuqizim të forcës ushtarake të saj, madje edhe përmes ishujve të saj artificialë të fortifikuar ushtarakisht, që ka sjellë kundërshtimin e vendosur të fqinjëve të saj si Vietnami, Japonia, Taivani, etj., por që tash edhe të SHBA. Kina duket se synon jo vetëm të përforcojë fuqinë e prezencën ushtarake në këtë rajon tepër të rëndësishëm, jo vetëm strategjik, ekonomik e tregtar, por edhe të mbajë nën kontroll rrugë të rëndësishme tregtare.

Në funksion të strategjisë së superfuqisë botërore, jo vetëm të rivalitetit me SHBA e ndarjes së fuqisë me të, por edhe për t’u bërë superfuqia e parë botërore, Kina po materializon strategjinë saj edhe në hapësirën europiane me programin e rrugës së mëndafshit, apo edhe të investimeve në infrastrukturë, por edhe duke shfrytëzuar aktualisht edhe grindjen brenda perëndimit. Kina është treguar pragmatiste në këtë ecuri, teksa ka mbajtur marrëdhënie bashkëpunimi me interes me Rusinë, të cilës i ka interesuar gjithashtu, kjo shfaqje dyshe me Kinën, për të zhvilluar rivalitetin e ndarjen e fuqisë me SHBA.

Megjithatë, Kina është shumë e qartë se çfarë kërkon e ku synon të arrijë, por që tash duket se po reagon vërtet me përmbajtje, por tashmë edhe duke demonstruar forcën, në atë që tashmë njihet lufta e vërtetë tregtare me SHBA. Aktualisht, pjesë integrale e përmbajtjes së marrëdhënies SHBA-Kinë është lufta tregtare e nisur pas vendimit amerikan për vendosjen e tarifave, që nuk janë vetëm kundër Kinës, por edhe ndaj aleatëve europianë. SHBA e ka motivuar lëvizjen e saj me synimin e vendosjes së balancave të ekuilibruara në tregtinë mes tyre.

Tani së fundi u mësua se pas një takimi SHBA-BE në Uashington, logjika e racionalitetit dhe e efektivitetit ekonomik, interesat e rëndësishme dhe vlerat e përbashkëta që ndan aleanca euroatlantike, mundësuan shmangien e një lufte tregtare për të punuar së bashku e hapur një periudhë të re miqësie të ngushtë dhe marrëdhënie të forta tregtare, nga të cilat do të fitojnë të dyja palët. Marrëveshja e arritur mundëson të punohet, siç u theksua në konferencën e përbashkët për shtyp Trump-Junker, drejt tarifave zero, barrierave dhe subvencioneve. Edhe pse në Europë jo të gjithë mund të jenë njësoj të lumtur, ky është një zhvillim pozitiv. Ndoshta, një filozofi e tillë mund të sjellë edhe një zbutje të luftës tregtare mes SHBA dhe Kinës, edhe pse kontradikta mes tyre ka natyrë e përmbajtje më komplekse.

Përveç diskutimeve rreth dukurive të globalizmit dhe proteksionizmit, në funksion të një dialogimi rreth pozicioneve konkrete dhe të parandalimit të një lufte të vërtetë tregtare, u zhvillua edhe një takim në muajin qershor, mes sekretarit amerikan të tregtisë, V.Ross dhe zëvendëskryeministrit kinez Liu He, që diskutuan ecurinë e partneritetit, por edhe problemet e lindura mes dy vendeve. Kina është shumë e interesuar realisht të shmangë një luftë tregtare me SHBA, edhe pse e mendon se pasojat do të ndjehen mes dy vendeve dhe përtej tyre, në tregtinë botërore. Takimi mes tyre duket se e synonte mënjanimin e një konflikti tregtar edhe pse Kina tashmë nuk mund të qëndrojë pa reaguar, apo të tolerojë një prepotencë amerikane ndaj saj.

Qëndrimi i Kinës përfshiu disa elementë: as konflikt, as prepotencë, por as dhe lëshime, që do ta dëmtonin Kinën ekonomikisht e politikisht. Kina është shfaqur mbështetëse e qartë e globalizmit edhe duke e parë atë në interes konkret për zhvillimet ekonomike të Kinës, por edhe për të fuqizuar rolin e saj si superfuqi botërore në zhvillimet ndërkombëtare.

Ross dhe He u fokusuan jo rastësisht te problemi i eksporteve, që prek fitimet reciproke, por edhe ai që lidhet me pronësinë intelektuale, ku SHBA ka akuza konkrete ndaj Kinës. Duket se bisedimet kanë qenë shumë të vështira, apo se nuk ka qenë efektiv ky takim, ku u duk se nuk u arrit asnjë dakordësim apo kompromis. Ky zhvillim dëshmon kështu për një luftë të vërtetë tregtare, me pasoja për të dyja vendet, por që nisur nga pesha e roli i këtyre dy fuqive ekonomike më të mëdha në botë, do të sjellë pasoja direkt në ekuilibrat ekonomikë botërorë. Shpejt u mor vesh se lufta tregtare kishte nisur pa kthim.

Kina shpejt deklaroi se nuk do të hynte në fuqi asnjë marrëveshje tregtare apo biznesi mes dy vendeve, nëse SHBA do të vendoste sanksione e tarifa të tjera, që nënkupton kështu se marrëveshja tregtare në fuqi nuk do të jetë më e vlefshme mes të dyja palëve. Megjithatë, duke marrë parasysh interesin e vet ekonomik e financiar, por edhe rrezikun kompleks që prodhon prishja e ekuilibrave të vendosur, Kina u shfaq e gatshme si për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare, ashtu edhe për të ngushtuar disbalancën tregtare me SHBA.

Fakti që nuk u përcoll ndonjë deklaratë e përbashkët dëshmoi se konflikti e lufta tregtare ishte dhe është në zhvillim. Në fakt, Kina u përpoq të ishte sa më konstruktive në këtë debat e luftë, duke shfaqur një pajtim për një konsensus tregtar, që do të rriste dukshëm blerjen e mallrave amerikane në tregun kinez. SHBA, që mban parasysh suficitin e madh tregtar të Kinës me SHBA insiston në ndryshime jo të pjesshme, por rrënjësore në marrëdhëniet tregtare mes tyre. Pas kësaj, lufta tregtare me vendosje sanksionesh reciproke po merr përmbajtje konkrete.

Nisur nga pesha e këtyre ekonomive në ekonominë e tregtinë botërore dhe nga përmasat që ka marrë globalizmi, duket që nuk do të ketë thjesht një luftë tregtare mes SHBA dhe Kinës, por që do të jetë një luftë tregtare globale, që do të cenojë të gjithë ekuilibrat që janë vendosur. Interesa të rëndësishme ekonomike bëjnë trysni bashkëpunimi. Dhe në fakt mësohet se BE dhe Kina e mendojnë në këtë situatë një harmonizim kontributesh, me synimin e modernizimit të rregullave të tregtisë botërore, për t’iu përshtatur politikës teknologjike dhe subvencioneve qeveritare, me synimin që të mundësohet mbrojtja e mjedisit të tregtisë botërore. Duke marrë parasysh edhe një luftë tregtare reale të SHBA me aleatët e vet euroatlantikë, Kina e përshkallëzon përgjegjësinë e SHBA, teksa e akuzon se po i hap zjarr botës.
Në këto kushte, Kina e sheh me interes të lëvizë drejt një bashkëpunimi, fillimisht ekonomik e tregtar, me vendet e BE, për të përballuar një luftë tregtare me SHBA, por edhe për të minimizuar sa më shumë pasojat e pashmangshme nga kjo luftë. Në kushtet e një lufte të vërtetë tregtare, por edhe të një grindjeje brenda perëndimit, hapësira europiane, siç ka pohuar ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Europën, Mitchell, po shihet nga Rusia dhe Kina si një teatër i vërtetë i konkurrencës serioze strategjike.

Kjo lëvizje kineze nuk ka vetëm dimensionin tregtar dhe ekonomik, por është në funksion edhe të avancimit të pozicionit të saj të superfuqisë botërore, në rivalitetin për ndarjen e fuqisë dhe rolit me SHBA-ve në zhvillimet botërore, për konsolidimin e një roli të ri botëror të Kinës. Sot flitet edhe për një luftë monetare, përveç asaj tregtare mes SHBA dhe Kinës. Kjo lidhet edhe me rënien e ndjeshme të monedhës kineze.

Njoftohet se monedha kineze, që ka ardhur në rënie, u dobësua së fundi me 1% ndaj dollarit amerikan, duke arritur nivelin më të ulët brenda një viti. Ka shqetësime edhe për një ngadalësim të zhvillimit ekonomik të Kinës, që rrezikon ekuilibrat botërorë për shkak të peshës së ekonomisë kineze në ekonominë e globalizuar. Disa e shpjegojnë këtë rënie edhe si një mundësi për Kinën, për eksportet kineze, në kushtet e luftës tregtare e të tarifave të imponuara nga SHBA, me mendimin se produktet kineze bëhen më të lira për blerësit që paguajnë në dollarë.

Disa mendojnë se kjo rënie mund të ndikojë pozitivisht sa u përket ritmeve më të larta të rritjes ekonomike kineze, që këto dy vjetët e fundit kanë qenë të ulëta. SHBA e ka kritikuar Kinën në qëndrimin e saj, që mban monedhën e saj në nivel të ulët dhe që e përdor atë në luftën tregtare me SHBA. Megjithatë, specialistët mendojnë se, nëse monedha kineze do të bjerë më shumë, kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik të Kinës.

Kjo luftë tregtare me SHBA ka pluset dhe minuset e veta, sa i përket avancimit të strategjisë së Kinës për superfuqi botërore. Duke shfrytëzuar edhe grindjen komplekse të SHBA me BE, por edhe problematikën e brendshme të BE, ngecien e avancimit të projektit europian, Kina në proces ka materializuar strategjinë e saj të rolit të superfuqisë në hapësirën europiane.

Ajo ka zhvilluar me sukses armën ekonomike, investimet në infrastrukturë e gjetkë, që vërtet kanë funksionuar. Ajo po e shfrytëzon me sukses zënien e boshllëqeve që krijohen në hapësirën europiane, madje edhe duke mbajtur në konsideratë edhe lëvizjet e Rusisë. Kina jo vetëm e përdor grindjen brenda perëndimit në përballimin e luftës tregtare me SHBA, por synon ta shfrytëzojë në forcimin e pozitave të saj në rivalitetin me SHBA, për ndarje të rolit e fuqisë në zhvillimet botërore.

Në këtë realitet të krijuar, duket se Kina e mendon një bashkëpunim apo grupim të saj me BE, apo me disa vende europiane. Aktualisht po synon një dimension ekonomik e tregtar, në emër të përballimit të luftës tregtare me SHBA, ku në funksion të tij ka qenë menduar edhe një samit i përbashkët. Duket që Kina e ndjek me vëmendje grindjen brenda perëndimit dhe nuk e përjashton të përfitojë maksimalisht jo vetëm në rivalitetin me SHBA, por edhe duke shpresuar në ndryshime më esenciale në të ardhmen.

Mënyra se si Kina po lëviz aktualisht tregon qartë se shfaq interes konkret për rritjen e bashkëpunimit me aktorë të tjerë, përfshi edhe aleatët europianë të SHBA, për një pozicion roli udhëheqës në qeverisjen globale. Manovrimet e saj aktuale në marrëdhënien me SHBA, por edhe me Rusinë e vendet e BE janë shprehje e pragmatizmit kinez për të marrë maksimumin e mundshëm, brenda zhvillimeve të sotme.

Duket që pjesë e ambicieve gjeopolitike të Kinës është edhe kontinenti afrikan, që ka nevoja tepër të mëdha për investime ekonomike. Pikërisht, jo thjesht për të testuar këto nevoja, por për të shtratuar bashkëpunime konkrete, po zhvillon vizitën e tij në këtë hapësirë të madhe presidenti kinez, Xi Jin Ping. Edhe pse programi kinez i realizimit të ambicies së statusit të superfuqisë botërore është pasuruar në proces, sendërtimi i një roli të Kinës në këtë kontinent ka qenë pjesë e rëndësishme.

Ofensiva aktuale kineze në Afrikë sjell në vëmendje një ofensivë të vjetër të Kinës komuniste, me vizitën e kryeministrit Cu En Lai në këtë kontinent, me synimin për tregje, që mundësonin zhvillimin ekonomik të Kinës, por edhe zgjerimin e rolit të saj në botë.

Siç shihet, përveç objektivit të marrjes së Taivanit, apo bashkimit të tij me Kinën, të përcaktuar që në programin e “katër modernizimeve”, ka sot disa lëvizje ekonomike, tregtare, ushtarake, të dukshme e të padukshme nga Kina, në funksion të arritjes së rolit e të superfuqisë botërore. Madje, ndonjë nxiton të pohojë se Kina synon të zëvendësojë SHBA në udhëheqjen botërore. Ka sot një luftë të hapur tregtare, por edhe një luftë të ftohtë SHBA-Kinë.

Zëvendësdrejtori i CIA-s, Michael Collins mendon se “është luftë e ftohtë, por jo si ajo klasike që njohim”. Sipas tij, Kina shfrytëzon çdo mundësi të ligjshme e të paligjshme, publike dhe private, ekonomike e ushtarake, për të dëmtuar pozicionin e rivalit të saj…, por pa përdorur si mjet konfliktin.

Kina, sipas tij, punon me çdo mjet që vende të tjera të mbështesin qëndrimet e saj dhe jo të SHBA. Ky zyrtar amerikan mendon se Kina është kërcënimi dhe sfida më e madhe globale me të cilën SHBA përballet. Madje, Collins mendon se Kina ka krijuar një konkurrencë me ne dhe atë që ne përfaqësojmë, shumë më tepër se ç’mund dhe çfarë kanë mundësi të bëjnë rusët. Ky argument mund të ndihmojë të shpjegojë deri diku edhe lëvizjen e hapjes së një dialogu e marrëdhënieje të re mes SHBA dhe Rusisë, të inauguruar në takimin e Helsinkit./gsh.al

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb