SIRI


Ushtria amerikane thotë se ka kryer një sulm ndaj liderëve të Al-Kaidës në një ndërtesë në veri të Idlibit në veriperëndim të Sirisë pas raportimeve se rreth 40 ekstremistë janë vrarë gjatë këtij sulmi. “Ky operacion ka pasur për cak liderët e Al-Kaidës në Siri, përgjegjës për sulmet dhe kërcënimet ndaj qytetarëve amerikanë, partnerëve tanë dhe civilëve të pafajshëm”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së


Komanda po ashtu tha se “me sulmin ndaj kësaj ndërtese, do të degradohet edhe më tej aftësia e tyre (Al-Kaidës) për të kryer sulme të ardhshme dhe destabilizimit të rajonit”.


Në deklaratë, ku nuk është specifikuar se me çfarë armësh është kryer sulmi, thuhet se veriperëndimi i Sirisë “vazhdon të jetë një strehë e sigurt” për liderët e Al-Kaidës, kur ku ata planifikojnë dhe koordinojnë “aktivitete terroriste” në mbarë rajonin dhe në Perëndim. “Me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të targetojmë ekstremistët e dhunshëm, me qëllim që të parandalojmë që ata ta përdorin Sirinë si strehë të sigurt”, thuhet në deklaratën e Komandës amerikane.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Londër – tha se të paktën 40 ekstremistë, përfshirë liderë, janë vrarë gjatë sulmeve me raketa, që kanë pasur për cak një ndërtesë ku po takohej një grup i pjesëtarëve të Al-Kaidës në Idlib.

Idlibi, që gjendet pranë kufirit me Turqinë, kryesisht kontrollohet nga Hayat Tahrir al-Sham, ish-bashkëpunëtor të Al-Kaidës në Siri.

(Balkanweb)

Etiketa: