Zyrtarët amerikanë kanë siguruar lirimin e 135 të burgosurve politikë nga Nikaragua për arsye humanitare. Të 135 personat janë shtetas të Nikaraguas që u arrestuan padrejtësisht, tha në një deklaratë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Të liruarit u dërguan në Guatemalë, ku mbërritën të enjten në mëngjes me orën lokale dhe do t’u jepet mundësia të aplikojnë për t’u transferuar në SHBA. Qeveria e Nikaraguas e udhëhequr nga presidenti Daniel Ortega ka burgosur qindra njerëz që kur shpërthyen protestat masive kundër sundimit të tij në vitin 2018.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (OHCHR) publikoi një raport të martën duke dokumentuar përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Nikaragua gjatë vitit të kaluar. Aty përshkruhen një duzinë rastesh, në të cilat të burgosurit u torturuan përmes formave të ndryshme të abuzimit seksual dhe goditjeve elektrike.

Raporti zbuloi se “jo vetëm ata që shprehin mendime të kundërta, por edhe çdo individ ose organizatë që vepron në mënyrë të pavarur ose nuk bie drejtpërdrejt nën kontrollin e tyre” po persekutohen nga autoritetet e Nikaraguas. Më shumë se 5000 grupe joqeveritare, universitete private dhe organizata të shoqërisë civile janë mbyllur me urdhër të qeverisë.

Ata që kanë lidhje me grupet e kishës janë vënë në shënjestër në veçanti, me priftërinj dhe pastorë të arrestuar në mënyrë arbitrare, ndonjëherë të tërhequr zvarrë me forcë ndërsa po mbanin meshën.Mes të liruarve të enjten janë laikë katolikë, studentë dhe 13 anëtarë të organizatës evangjeliste Mountain Gateuay me bazë në Teksas, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është hera e dytë që SHBA siguron lirimin e një grupi të madh të të burgosurve politikë nga Nikaragua. Në shkurt të vitit të kaluar, 222 të arrestuar u dërguan nga Managua në Shtetet e Bashkuara. Grupet e të drejtave të njeriut kanë denoncuar për vite me radhë goditjen në rritje të disidencës në vendin e Amerikës Qendrore.Masat e marra kundër atyre që kanë folur kundër z. Ortega përfshijnë heqjen e nënshtetësisë së Nikaraguas dhe sekuestrimin e shtëpive dhe pasurive të tyre.

Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje qeverisë së Nikaraguas të “ndalojë arrestimin dhe ndalimin arbitrar të qytetarëve të saj për ushtrimin e lirive të tyre themelore”. Qeveria e Nikaraguas nuk ka komentuar ende.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: