Paris Jackson, vajza 21-vjeçare e këngëtarit të famshëm Michael Jackson, është shtruar në një spital në Los Angeles pas një tentative për vetëvrasje. Kushtet e saj shëndetësore janë të mira shkruan Tmz që jep lajmin, duke cituar burime nga familja, edhe pse Paris e ka mohuar këtë fakt në Twitter.

Gjesti besohet se ka lidhje me dokumentarin “Leaving Neverland” në të cilin dy burra pranojnë që janë ngacmuar seksualisht nga ylli kur ishin ende fëmijë.

Gjithmonë sipas asaj që shkruan Tmz, policia dhe ndihma e shpejtë kanë marrë një telefonatë rreth orës 7:30, që vinte nga banesa e vajzës në Los Angeles. Paris Jackson ka tentuar të vrasë veten duke prerë damarët. Aspirantja për artiste dhe modele, kishte tentuar të vriste veten edhe në 2013.

Dy burrat, që sot janë 30 vjeçare, të cilët kanë denoncuar ngacmimet nga ana e ‘mbretit të pop-it’, që vdiq në 2009, janë Wade Robson dhe James Sefechuck.

Dikur Jackson i kishte frekuentuar për një kohë të gjatë familjet e dy djemve, që atëherë ishin fëmijë 7 dhe 10 vjeç.
Pavarësisht denoncimeve nuk ekzistojnë prova zyrtare për abuzime ndaj dy burrave.

Gjatë javës 21-vjeçarja kishte mbrojtur publikisht babain e saj Michael nga akuzat për abuzime: ‘Nuk është roli im dhe unë nuk mund të them asgjë për atë që është thënë’. Dokumentari Leaving Neverland ka ngjallur polemika në të gjithë botën, deri në atë gradë sa marka e njohur Louis Vuitton ka vendosur të tërheqë nga tregu pjesë nga koleksioni për meshkuj vjeshtë-dimër 2019, i inspiruar pikërisht nga Michael Jackson.

Dokumentari i prodhuar dhe drejtuar nga regjisori britanik Dan Reed është përqendruar në akuzat për pedofili në lidhje me superstarin. Disa radio në Kanada dhe Zelandën e re kanë hequr nga transmetimi këngë të Jackson, ndërsa seritë Simpson tërhoqën nga shpërndarja një episod ikonik të filmit me karton, në të cilin këngëtari i jepte zë një personazhi në film.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb