Ju djegës të klasave të shkollave: ndaluni! Me djegie klasash mendoni se do të mund të sjellim më shumë turistë në këtë vendin tonë? Vjet ishin 1.8 miliardë euro që na dhanë turistët e huaj dhe të vendit, por sidomos të huajt. Si do t’i marrim këto para këtë vit, me djegie dhe sulme mbi shkollat dhe mjediset e tjera publike të qyteteve?

Po vitin tjetër, ç’do të marrim? Nuk është me dhunë që forca politike të vetëlarguara mund të kthehen në garën për zgjedhje dhe pushtet. Nuk është me kusht përjashtues që mund të dialogosh me kundërshtarin tënd politik. Kjo strategji ka krijuar terren të djegur dhe ka fortifikuar palët në llogoret e tyre. Sa larg duket një pikë takimi për këto palë! Sa kemi humbur si shoqëri, si ekonomi dhe si të ardhme nga ky duel pa rregulla për pushtet.

Dhe ngelen vetëm 10 ditë nga dita e votimeve Kush do ta marrë nismën të ftojë palët në një tryezë të rrumbullakët? Asnjë veprimtar i brendshëm nuk duket të ketë mundësinë apo qoftë edhe vetëm dëshirën ta bëjë. Do të duhet një i tretë i paanshëm. Me autoritetin e duhur dhe energjitë për të çuar një sprovë pajtimi deri në fund. Për të qetësuar dyluftuesit që i kanë sytë të skuqur nga antagonizmi i tepruar. Si demat në arenë. Duke përjashtuar ish-kryeministrin austriak Franc Vranicki që qëndroi një javë në marsin e 22 viteve më parë në krizën shqiptare në Tiranë, askush sot nga Brukseli apo nga kancelaritë e Berlinit, Parisit, Romës apo Vjenës nuk duket të ketë as vullnetin e duhur, as edhe autoritetin dhe peshën për të frenuar demat tanë politikë.

Përcjellësit e mesazheve nga Brukseli deri tani kanë luajtur butë dhe me fraza të përgjithshme. Një kryeministre kurajoze dhe energjike si Merkel ka boll probleme të brendshme pas rënies së partisë së saj në zgjedhjet e 28 majit për Parlamentin Evropian, që të nisë një emisar të sajin me një gjuhë të ashpër dhe bindëse. Na duhet një njeri si “buldozeri” amerikan Hoyt Brian Yee(Hojt Brajan Ji), ish-Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Evropën dhe EuroAzinë. Një njohës i shkëlqyer i mendësisë ballkanike dhe i pajisur me një kurajë për t’i thënë gjërat troç dhe realizuar presionin e duhur. I shkollës së ndërmjetësit amerikan me famë botërore Riçard Hollbruk. I mbiquajtur “buldozeri”, pasi sheshonte mosmarrëveshje ballkanase politike dhe etnike edhe qindravjeçare.

I aftë të përqendronte fuqinë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë në arritjen e objektivave të qarta amerikane për rajonin ku vepronte. Njeriu që qetësoi furtunën në Maqedoni në pranverën e dy viteve më parë dhe solli drejt marrëveshjes në prill-maj 2017 shumicën dhe pakicën tonë politike. Mes të cilave qëndronte një çadër revolucionare. Po sot? Kush mund ta luajë këtë rol? Sigurisht që i ka kartat e duhura Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Evropën, Matthew(Methju) Palmer. Ka forcën e duhur, ka kurajon dhe energjinë e një politikani race të SHBA-ve. Intervista e tij e 12 ditëve më parë gati e ngriu opozitën tonë kryesore në rrugë. Ai ka autoritetin e duhur për ta sjellë atë në tryezën e bisedimeve. Vetëm ai. Prandaj dhe demokracisë më të thellë dhe shtetit më të fuqishëm të botës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i lutemi në gjunjë: ”Ju lutem na ndihmoni!”. Siguruat mbijetesën e shtetit tonë 107 vite më parë.

Krijuat shtetin më të ri të Europës, Kosovën me operacionin më të guximshëm amerikan në Evropë në kuadër të NATO-s, bombardimet në Serbi 20 vite më parë. Dy vjet më parë, na dhatë kartën më të mrekullueshme të kreditit për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane me reformën në drejtësi. Me vetingun e mbijetuar vetëm prej këmbënguljes suaj, që është qasje për t’u marrë shembull edhe nga shtete anëtare të Bashkimit Europian. Ju lutem na ndihmoni tani! Tani kemi nevojë për ju shumë. Vërtet shumë. Do të ishte mirë sikur struktura të tëra të shoqërisë civile, akademike apo personalitete të tjera ta prodhonin këtë kërkesë-lutje. Dje e dëgjoja këtë kërkesë nga goja e një drejtuesi të një institucioni të rëndësishëm kushtetues, i cili sigurisht nuk mund të dalë e të bëjë politikë. Por besoj shpresa e shumicës së qytetarëve të këtij vendi është në ndërhyrjen amerikane për ndërmjetësim. Vetëm ajo mund të na ndihmojë realisht. Pse paqja në truallin tonë të shtrenjtë është në rrezik. Palmer mund të jetë një toreador i mrekullueshëm për të qetësuar demat tanë të papërgjegjshëm politikë. Na e sillni pikërisht këto ditë, po mundët. Ju lutem!/Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: