Prokuroria e Posaçme ka reaguar një ditë pas njoftimit të ambasadës amerikane në Shqipëri për ndërprerjen e fondeve për institucionet shqiptare ku përfshiheshin disa ministri, gjykatat, prokuroritë por edhe vetë SPAK, për një periudhë 90 ditore.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, SPAK thotë se është institucion i pavarur i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, SPAK sqaron se Prokuroria e Posaçme dhe BKH kanë pasur mbështetje nga SHBA përmes misioneve të OPDAT, ICITAP, DEA dhe FBI, mbështetje e cila vlerësohet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK me trajnime, vizita studimore dhe ndihmë në pajisje.

Reagimi i SPAK
“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare.

SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI.

Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.

Ndërprerja e fondeve amerikane
 Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi dje Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për pezullimin e fondeve amerikane pas një urdhri të presidentit Donald Trump. Më 24 janar, Departamenti i Shtetit i SHBA-së urdhëroi pezullimin e financimeve të reja për shumicën e programeve të ndihmës ndërkombëtare, si pjesë e përpjekjeve të presidentit për të përshtatur politikat e ndihmës amerikane me objektivat e tij të politikës së jashtme. Këto programe, që financohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), do të ndikohen nga ky vendim.

Fondet ndërpriten deri ne një vendim të dytë për institucionet:

Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare

Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve

Ministria e Mbrojtjes

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit

Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Gjykata Kushtetuese

Gjykata e Lartë

Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë

Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit

Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm

Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)

Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)

Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit

Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)

Të gjitha pushtetet komunale

Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.

Vijon…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb