Shtetet e Bashkuara ngritën aktpadi ndaj dy ish-bashkëpunëtorëve të ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn, duke i akuzuar se kishin ndërmarrë ilegalisht një fushatë lobimi për Turqinë në Shtetet e Bashkuara.

Paditë kundër amerikanit 66-vjeçar Bijan Kian dhe turkut 41-vjeçar Ekim Alptekin, u paraqitën të hënën në një gjykatë pranë Uashingtonit. Dy personat akuzohen se kanë komplotuar për të shkelur ligjet amerikane të lobimit. Alptekin akuzohet gjithashtu se ka gënjyer hetuesit federalë.

Shtetet e Bashkuara thanë se personat punonin me zotin Flynn, të cilin Presidenti Donald Trump e emëroi si shefin e tij të parë të sigurisë kombëtare në vitin 2017 para se ta shkarkonte brenda më pak se një muaji. Prokurorët amerikanë thanë se Kian dhe Alptekin komplotuan për të “ndikuar fshehurazi politikanët dhe opinionin publik amerikan” kundër klerikut musliman, Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka akuzuar për orkestrimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Gulen jeton në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Flynn ishte paguar 500 mijë dollarë për të lobuar për Turqinë në muajt para se të fillonte punën në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump.

Aktakuza thotë se qëllimi i fushatës së financuar nga qeveria turke ishte të diskreditonte Gulenin në sytë e publikut amerikan, me qëllim që të nxitej qeveria e SHBA për të kënaqur kërkesën e Presidentit Erdogan që kleriku të ekstradohej në Ankara.

Zoti Erdogan prej kohësh ka kërkuar kthimin e Gulenit në Turqi për t’u përballur me akuzat për orkestrimin e grushtit të shtetit që la 300 të vdekur. Por zyrtarët e SHBA kanë refuzuar, duke thënë se Turqia nuk ka paraqitur prova për bashkëpunimin e Gylenit. Fethullah Gylen i ka hedhur poshtë pretendimet.

Të dielën, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çaushollu i tha rrjetit televiziv amerikan CNBC se kur Presidentët Trump dhe Erdogan u takuan kohët e fundit në samitin e G-20s në Argjentinë, udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara “po punojnë për ekstradimin e Gulenit” dhe “njerëzve të tjerë”.

Padia kundër dy personave, Kian dhe Alptekin ngrihet një ditë përpara se ish-këshilltarit Flynn t’i njoftohet dënimi për akuzën se ka gënjyer hetuesit federalë lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e atëhershëm të Rusisë në Uashington, në javët para se zoti Trump të vinte në Shtëpinë e Bardhë në janar 2017.

Zyra e prokurorit të posaçëm Robert Mueller ka kërkuar lehtësim të dënimit për zotin Flynn, duke thënë se ai u ofroi atyre “ndihmë të konsiderueshme” në disa hetime, duke përfshirë rastin kundër dy ish-bashkëpunëtorëve të tij të biznesit në hetimin për Turqinë./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb