Matthew Palmer ka thënë pas emërimit si i ngarkuar special amerikan për Ballkanin Perëndimor se “është dëshirë e SHBA, një njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi, si një pikë qendrore e marrëveshjes”.

I ngarkuari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, që është njëkohësisht edhe zëvendës-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit ka deklaruar se qëllimi i SHBA-së është që “Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedave sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojnë një marrëveshje”. Një pikë qendrore e marrëveshjes, sipas tij, duhet të jetë një njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi, dëshirë kjo e SHBA.

Matthew Palmer tre ditë më parë u emërua nga Departamenti Amerikan i Shtetit përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në njoftimin për medie të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhej se zoti Palmer do të “udhëheqë përpjekjet e SHBA-së për të fuqizuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në fokusimin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”. Para se të nisë një vizitë në rajon, në një intervistë për Tanjug-un, Palmer ka deklaruar se “normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë do ta transformonte tërë Ballkanin dhe do të hapte rrugën evropiane për Serbinë dhe Kosovën”.

“Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara. Zgjidhja e çështjes së Kosovës është shumë e lartë në agjendën time. Ne kemi mundësi dhe ne duam ta shfrytëzojmë këtë. Qëllimi është që të kthejë palët në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”, thotë Palmer.

Duke nënvizuar zgjedhjet e Kosovës që mbahen me (06.10.) dhe zgjedhjet në Serbi që pritet të mbahen në pranverë, Palmer shpreson që qeveria e re e Kosovës të pranojë të pezullojë taksat doganore ndaj Serbisë për të lejuar që të rifillojë dialogu, ndërsa Beogradi të ndalë lobimin tek vendet e tjera për të tërhequr njohjet e Kosovës.

Diplomatin amerikan Matthew Palmer e takoi të martën (03.09.) në kuadër të Forumit të Bledit që po mbahet në Slloveni, shefi i diplomacisë kosovare, Behxhet Pacolli. Sipas Pacollit ata diskutuan pikërisht për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë e përgëzova zotin Palmer për emërimin e tij, dhe si një mik i vjetër i Kosovës, në këtë pozicion të ri, do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha nivelet. Ne e shohim dialogun si një proces të rëndësishëm, që ka një mundësi të mbyllë kapitullin e errët midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë është qëllimi i vetëm – asgjë më pak – dhe ne e vlerësojmë pozicionin e fuqishëm të Uashingtonit për këtë synim”, shkroi Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Bashkimi Evropian që deri tash ka qenë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, pret bashkëpunim me zotin Palmer, thotë Maja Kocijanciç zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane.

“SHBA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për sukses në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA ndajnë një interes të fortë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të prosperuar dhe ne mezi presim që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Matthew Palmer si i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin perëndimor”, ka thënë Kocijanciç.

Për emërimin e diplomatit amerikan Matthew Palmer si të dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin perendimor ka shprehur kënaqësi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Emërimi i Matthew Palmer tregon për një angazhim më të madh dhe më të veçantë të SHBA-ve në Ballkan dhe përpjekjeve të tyre për integrimin euro-atlantik”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç, ka deklaruar se “Palmeri do të ndjekë politikën e SHBA-së me një energji të madhe, ndërsa hedh poshtë çdo pretendim se ai do ta mbajë anën e Serbisë për shkak të “lidhjeve të tij familjare”.

“Palmer është një njeri i përgjegjshëm, serioz dhe i zellshëm. Më duket qesharake dhe marrëzi kur thonë se ai është dhëndër serb, andaj do të ketë prirje ndaj nesh. Ai do të kryejë punën në politikën amerikane fuqishëm, ndonjëherë edhe me brutalitet dhe neve nuk na presin kurrfarë detyra të lehta”, tha Vuçiçi sipas RTS.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në nëntorin e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100% ndaj mallrave serbe. Kjo masë e Prishtinës ishte si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë kundër dhe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Analistët në Prishtinë thonë se emërimi i Matthew Palmer, si i ngarkuar amerikan për Ballkanin Perëndimor tregon qartë se Shtetet e Bashkuara duan të përfshihen shumë më tepër në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të zgjidhet para përfundimit të administratës Trump. Edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini deklaroi në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së se “Evropa ka interes të qartë ta sjellë Ballkanin Perëndimor në BE”./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb