Një i burgosur i quajtur, Alan Eugene Miller në shtetin amerikan të Alabamas u bë personi i dytë i ekzekutuar me metodën e diskutueshme të ekzekutimit të njohur si “hipoksia e azotit”, transmeton Anadolu.

59-vjeçari Miller u lidh në një barelë mbrëmë dhe u ekzekutua me metodën e gazit azot përmes një maske të vendosur në fytyrën e tij.

Sipas një gazetari, i cili u lejua të dëshmonte metodën e ekzekutimit me gaz azot, Miller vazhdoi të dridhej për gati dy minuta. Miller pati probleme me frymëmarrjen për rreth gjashtë minuta para se të vdiste.

Duke pretenduar pafajësinë e tij deri në momentin e fundit, Miller tha fjalët e tij të fundit nga pas maskës që mbulonte fytyrën e tij: “Nuk bëra asgjë për të qenë këtu”.

Ai u akuzua për vrasjen e tre personave.

Në këtë metodë ekzekutimi, e përdorur për herë të dytë në Alabama, i burgosuri detyrohet të marrë frymë gaz azoti derisa të shterohet i gjithë oksigjeni në trupin e tij.

Ndërsa ekspertët e përshkruajnë metodën në fjalë si “mizore, e dhimbshme dhe torturuese”, Kombet e Bashkuara (OKB) e përkufizojnë këtë formë të ekzekutimit si “asgjë tjetër përveç torturës së sanksionuar nga shteti”.

Miller u dënua me vdekje në vitin 2000 për vrasjen e tre personave në vitin 1999.

Një tjetër i burgosur u ekzekutua me të njëjtën metodë për herë të parë në Alabama më 25 janar.

Alabama është shteti i vetëm në SHBA që përdor hipoksinë e azotit për dënimin me vdekje. Në shtetet e Luizianës, Oklahomas dhe Mississipit u miratua metoda e ekzekutimit me gaz azoti, por ende nuk është përdorur në ekzekutime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: