NEW YORK- Presidenti amerikan, Barack Obama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin lidhur me krizën siriane dhe koreanoveriore, pa përjashtuar situatën në Ukrainë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

“Lidhur me Sirinë, dy presidentët theksuan nevojën e mënjanimit të dhunës në vendin e shkatërruar nga lufta si edhe përballimin e situatës së rëndë humanitare të krijuar”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Për rastin e Koresë së Veriut, Obama dhe Putin nënvizuan rëndësinë e një përgjigjeje të ashpër dhe të përbashkët ndaj sfidës së regjimit të Phenianit”, shtoi ajo.

“Gjatë bisedës, Putin e Obama diskutuan edhe për kontaktet dypalëshe në fusha të ndryshme, përfshirë atë të mbrojtjes dhe të konsolidimit të forcave në luftën kundër kërcënimit terrorist në Lindjen e Mesme”, njoftoi nga ana e tij Kremlini duke saktësuar se dy liderët kërkuan edhe uljen e tensionit në marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

Burime nga Moska bëjnë të ditur se biseda u zhvillua me kërkesë të palës amerikane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: