Shtetet e Bashkuara akuzuan të enjten themeluesin e WikiLeaks Julian Assange për konspiracion në hakerimin e një kompjuteri lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara amerikane, vetëm pak orë pasi policia britanike e arrestoi atë në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ai qëndronte për gati shtatë vjet.

Aktakuza ndaj Julian Assange rrjedh nga një prej shkeljeve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë amerikane, publikimit nga WikiLeaks në vitin 2010 të një numri të madh të dhënash ushtarake amerikane në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak, vlerësimet e terroristëve të dyshuar të mbajtur nga Shtetet e Bashkuara në Guantanamo të Kubës dhe 250,000 komunikimeve kabllore të Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Assange-n për komplot me ish-analisten e zbulimit të Ushtrisë Amerikane Chelsea Manning, të njohur më parë si Bradley Manning përpara se ta deklaronte veten si grua, për të deshifruar një fjalëkalim në kompjuterat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes duke hakeruar në një rrjet qeveritar të dokumenteve dhe komunikimeve të klasifikuara të njohura si Rrjeti i Protokollit Sekret në Internet. Qeveria amerikane thotë se deshifrimi i fjalëkalimit, e lejoi zonjën Manning të hynte në kompjuterat me një emër përdoruesi që nuk i përkiste asaj, duke e bërë fillimisht më të vështirë për autoritetet të përcaktonin burimin e zbulimeve të paligjshme.

Qeveria tha se zoti Assange dhe zonja Manning u angazhuan në diskutime në kohë reale, ndërsa ajo transmetoi të dhënat e klasifikuar tek Julian Assange që WikiLeaks pastaj i publikoi. Sipas aktakuzës, gjatë një diskutimi, Manning i tha Assange-it: “Pas kësaj ngarkimi, kjo është e gjitha që kam”, ndaj të cilës Assange u përgjigj: “në përvojën time, sytë kurreshtarë kurrë nuk pushojnë”.

Pas këtij shkëmbimi, pohon padia, Manning hyri në komunikimet kabllore të Departamentit të Shtetit që WikiLeaks më vonë i publikoi.
Assange, 47 vjeç, është akuzuar për komplot për të kryer ndërhyrje kompjuterike dhe, nëse dënohet, përballet me një burgim pesëvjeçar.

35-vjeçarja Manning kreu shtatë vjet burgim për rolin e saj në zbulimin e dosjeve sekrete. Dënimi i saj u shkurtua nga ish-presidenti Barack Obama disa ditë para se të përfundonte mandatin e tij në janar të vitit 2017. Megjithatë, një gjykatës federal urdhëroi burgosjen e saj përsëri muajin e kaluar pasi refuzoi të dëshmojë para një jurie të madhe që po heton organizatën WikiLeaks.

Të enjten në Londër, policia britanike arrestoi themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange.
Policia britanike e nxorri Julian Assange-in nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku ai ishte strehuar që nga viti 2012.

Ai qëndroi atje për të mos u ekstraduar në Suedi për t’u përballur me akuzat për sulme seksuale.
Suedia më vonë e anuloi hetimin, por Assange mbeti në ambasadë për shkak të frikës se Britania mund ta ekstradonte atë në Shtetet e Bashkuara në lidhje me publikimin e dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga WikiLeaks.

Presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno lëshoi një deklaratë të enjten ku shpjegon vendimin e vendit të tij, duke thënë se Assange kishte “arritur kufirin” me sjelljen e tij.

“Po njoftoj sot se sjellja e pahijshme dhe agresive e zotit Julian Assange, deklaratat armiqësore dhe kërcënuese të organizatës së tij kundër Ekuadorit dhe veçanërisht, shkeljet e traktateve ndërkombëtare, e kanë çuar situatën në një pikë ku azili për të nuk mund të zgjatet dhe nuk është më praktikë. Ekuadori ka vendosur të ndërpresë azilin diplomatik që i është dhënë zotit Assange që nga viti 2012”.

Presidenti Moreno renditi një varg shkeljesh që pretendon se janë bërë nga Julian Assange gjatë kohës së tij në ambasadë, duke përfshirë instalimin e pajisjeve elektronike të cilat nuk ishin të lejuara, bllokimin e kamerave të sigurisë, keqtrajtimin e rojeve dhe qasjen pa leje në dosjet e sigurisë së ambasadës.

Udhëheqësi ekuadorian tha më së fundmi, WikiLeaks publikoi dokumente të Vatikanit dhe se para dhe pas publikimit, anëtarët kryesorë të organizatës e vizituan Assange, duke treguar marrëdhënien e tij të vazhdueshme me një grup “që ndërhynë në punët e brendshme të shteteve të tjera”.

Një deklaratë e policisë metropolitane thotë se oficerët e arrestuan Assange në ambasadë në lidhje me një urdhër britanik të qershorit 2012 për “dështim për t’u dorëzuar në gjykatë”. Policia tha se ishte ftuar në ambasadë nga ambasadori i Ekuadorit pasi qeveria ekuadoriane i hoqi Julian Assange-it të drejtën e azilit. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb