SHBA- Zv/Presidenti amerikan Mike Pence tha të mërkurën se Uashingtoni do të shpallë sanksione të reja më të ashpra kundër Koresë së Veriut për ta bindur që të braktisë programin bërthamor, duke e quajtur atë regjimin ‘më tiranik dhe shtypës’ të planetit, raporton Reuters.

Duke folur në Tokio pas takimit me kryeministrin japonez Shinzo Abe, zv/presidenti Pence premtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij, përfshirë Japoninë, do të mbajnë presion maksimal mbi Phenianin, deri sa të marrë hapa drejt “çarmatimit të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë shpejt do të shpallin raundin më të ashpër dhe agresiv ndonjëherë të sanksioneve ekonomike ndaj Koresë së Veriut. Dhe ne do vazhdojmë të izolojmë Korenë e Veriut deri sa të braktisë programin e saj bërthamor të raketave balistike një herë e mirë” tha Mike Pence në Tokio.
Pas bisedimeve që tregojnë aleancën e sigurisë SHBA-Japoni, kryeministri Abe tha se dy vendet kanë rënë dakord se ‘nuk do ta pranojnë kurrë Korenë e Veriut të armatosur me armë bërthamore’.

Pas vizitës së tij na Japoni, Pence do udhëtojë drejt Koresë së Jugut ku pritet të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Vizita e tij përkon me vizitën e liderit ceremonial të Koresë së Veriut, Kim Yong Nam, zyrtari më i lartë koreano-verior që hyn në Jug që kur Lufta Koreano e vitit 1953 përfundoi me një armëpushim.

Megjithatë Pence ka paralajmëruar se SHBA nuk do lejojë Korenë e Veriut të përdorë Lojërat Olimpike për propagandë.

“Nuk do lejojmë që Koreja e Veriut të fshehë pas banderolës Olipmike realitetin se ata skllavërojnë popullin e tyre dhe kërcënojnë të gjithë rajonin”, tha numri dy i Uashingtonit.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb