Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se takimi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar politikën monetare me kreun e Rezervës Federale (FED) të SHBA-së, ishte i suksesshëm dhe i përzemërt.

Muajt e fundit, Trump ka kritikuar ashpër Jerome Powell, kreun e Bankës Qendrore Amerikane, për rregullimet e normës së interesit, për të cilat Trump beson se janë ulur shumë ngadalë. FED ka ulur normat e interesit tri herë këtë vit. Tashmë është vendosur në 1,5 deri në 1,75%.

“Powell u takua me Trump dhe Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin, me ftesën e presidentit, për të diskutuar mbi ekonominë, rritjen, punësimin dhe inflacionin”, deklaroi Rezerva Federale.

FED theksoi se komentet e Powell në takim ishin në përputhje me fjalimin e tij për Kongresin, javën e kaluar. Powell tha atëherë se mendonte që politika monetare e FED ishte e përshtatshme dhe ka të ngjarë të mbetet e njëjtë në varësi të perspektivës ekonomike.

Sot, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Powell nuk diskutoi pritshmëritë e tij për politikën monetare, përveç se për të theksuar se rruga e politikës do të varet tërësisht nga informacioni hyrës që mbart perspektivën e ekonomisë.

Pas takimit, Trump shkroi në Twitter se gjithçka ishte diskutuar, përfshirë interesin negativ, inflacionin e ulët, forcën e dollarit dhe tregtinë me Kinën, Bashkimin Europian dhe vendet e tjera.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb