Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar disa orientime lehtësuese për të gjithë shtetasit shqiptarë që aplikojnë për një vizë amerikane. Hapat fillestare se si mund të aplikoni për vizën po publikohen sot në faqet e “GSH” si ndihmë për atë që kanë ndërmend të fluturojnë për në SHBA.

Ftesat dhe dokumentet në mbështetje të një aplikimi për vizë
Nuk ka ndonjë ftesë standarde që mund të përgatitet në mbështetje të aplikimit për vizë të një individi që aplikon për vizë vizitori për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, në qoftë se një person fton një individ në Shtetet e Bashkuara, ai ose ajo mund të zgjedhë të shkruajë një letër, ku të shpjegojë qëllimin e vizitës dhe të rezervimeve që ka bërë për individin që do të strehojë. Letra të tilla nuk kërkohen, por mund të përdoren në mbështetje të një aplikimi për vizë. Çdo ftesë e tillë duhet t’u dërgohet aplikantëve të vizës dhe kur ata/ato të aplikojnë për viza mund ta paraqesin këtë letër gjatë intervistimit. Aplikantët mbajnë barrën të parashtojnë çdo ftesë apo garanci në mbështetje të aplikimeve të tyre në kohën kur intervistohen. Gjithashtu, personat që ftojnë duhet të jenë në dijeni se kjo nuk garanton lëshimin e vizës; aplikantët e vizave duhet të kualifikohen për vizë sipas rrethanave të tyre personale dhe jo bazuar në sigurimet që bën një person që fton në Shtetet e Bashkuara. Për informacion se si të caktoni një takim për të aplikuar për një vizë vizitori, ju lutemi ndiqni udhëzimet e dhëna në faqen tonë të internetit “Si të aplikoni”.

(Procedura e mëposhtme mund të ndryshojë nga momenti në moment. Nëse aplikoni përsëri në të ardhmen, ju sugjerojmë të vizitoni këtë faqe interneti për procedurat e reja të mundshme.)

I dashur aplikant i vizës joemigruese:
Për të caktuar një datë takimi për vizë joemigrimi (p.sh.: biznes, turist, vizitor, student, pune, etj.), ju lutemi ndiqni hapat e mëposhtëm:

SHËNIM:
“Diplomatët dhe zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë, që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara në emër të qeverisë së tyre për t’u angazhuar vetëm në aktivitete zyrtare për atë qeveri nuk kanë nevojë për të caktuar takim. Ju lutemi lexoni faqen “Diplomatët dhe zyrtarët e qeverisë së huaj” për më shumë informacion.
“Gjithashtu, edhe punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe NATO-s nuk kanë nevojë për të caktuar një takim. Ju lutemi lexoni faqen “Punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe NATO-s” për më shumë informacion.
“Takimet e përshpejtuara”.

1. Hapi i parë: Plotësoni aplikimin Online.
Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të plotësojë formularin e aplikimit DS-160 (aplikim për vizë joEmigrimi) online dhe të stampojë vetëm faqen e konfirmimit që ka kodin (barcode). (Aty ka një buton që thotë “Print Confirmation”). Kodi duhet të jetë i qartë dhe i lexueshëm në faqen e stampuar. Në mënyrë që të plotësoni aplikimin online, ju duhet të keni një fotografi dixhitale, që i përmbush kushtet e ngarkimit në internet. Ju lutemi referojuni faqes së internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore “Kërkesave të imazheve dixhitale- në anglisht” për të mësuar mbi kërkesat e fotografisë.

Pasi ta keni plotësuar formularin DS-160, interneti do t’ju nxisë që të stamponi faqen e konfirmimit që mban kodin e aplikimit tuaj. Kjo faqe duhet të sillet kur ju të paraqiteni në ambasadën amerikane në Tiranë për të aplikuar për vizën tuaj joemigruese.

E rëndësishme: Ju lutemi tregohuni shumë të kujdesshëm për të plotësuar të gjithë informacionin saktësisht në formularin DS-160. Gratë e martuara duhet të vendosin emrat e tyre të vajzërisë në fushën ku kërkohen, nëse keni pasur emra të mëparshëm ose pseudonime. Të gjithë aplikantët me informacion jo të plotë, informacion të pasaktë, ose që nuk kanë vendosur mbiemrin e vajzërisë ose emrat e tjerë të përdorur më parë do t’i kërkohet të plotësojnë edhe njëherë formularin dhe kjo mund të vonojë procesin e aplikimit të tyre. Formulari duhet plotësuar në anglisht: për ndihmë ju lutemi lexoni udhëzimet në shqip (PDF 538 KB).

2. Hapi i dytë: Paguani tarifën e vizës dhe caktoni takimin tuaj
Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të krijojë një llogari duke përdorur një nga mënyrat e mëposhtme:
“Në internet: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv;
“Me telefonon në numrin: +355-044-500-037; ose +1-703-520-2498 (në SHBA);
“Me shërbimin Skype nën emrin usvisaalbania.

Pasi të keni krijuar një llogari, apo të keni hyrë në llogarinë tuaj, ndiqni udhëzimet dhe zgjidhni mënyrën e pagesës (pdf KB) për tarifën e vizës joemigruese.

Shënim: Nëse ju kualifikoheni për rinovimin e vizës me postë, juve nuk do ju shfaqet kalendari i takimeve. Pasi të keni paguar tarifën e vizës, ju do të dërgoni me postë formularin e aplikimit dhe dokumentacionin tjetër siç përshkruhet në udhëzimet që ju shfaqen në atë faqe interneti.
3. Hapi i tretë: Mblidhni dokumentacionin tuaj.

Për një listë të dokumentacionit të kërkuar për të aplikuar për një vizë joemigruese, ju lutemi vizitoni faqen tonë të internetit “Dokumentacioni i kërkuar për të aplikuar për një vizë joemigrimi”. Për vizat e vizitorit B1/B2 nuk ka nevojë për dokumente mbështetëse. Aplikantët duhet të sjellin pasaportën aktuale, fletën e konfirmimit të formularit DS-160 me kodin përkatës, një fotografi, si dhe fletën e konfirmimit të datës së takimit që printuat nga https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv.
E rëndësishme: Orari i takimit që është shënuar në faqen e konfirmimit tuaj është orari në të cilin do të hyni brenda në konsullatë. Ai nuk është orari i takimit tuaj. Paraqisni pasaportën tuaj dhe fletën e takimit tek roja i sigurisë lokale. Pasi të keni hyrë brenda, do drejtoheni te sporteli numër 4 dhe do të dorëzoni tek stafi konsullor këto dokumente sipas rendit:
“Pasaportën tuaj.
“Fletën e konfirmimit të formularit DS-160.
“Një fotografi.

Intervista juaj do të kryhet pasi të jetë marrë dokumentacioni paraprak dhe të jenë hedhur të dhënat në sistem. Ne përpiqemi t’i intervistojmë aplikantët brenda një ore nga momenti i mbërritjes, por ju kini parasysh që mund të qëndroni në ambasadë deri në orën 12:00 paradreke. Materiale të lexueshme lejohen t’i keni me vete, por pajisje elektronike (duke përfshirë celularët), ushqimet, pije të ndryshme dhe çanta të mëdha nuk do të lejohen në ambasadë. Pajisjet elektronike mund të lihen në hyrje të ambasadës/konsullatës, gjithsesi, për të përshpejtuar hyrjen, ju lutemi mos i sillni ato me vete.
Për shkak të hapësirës së limituar që kemi në dhomën e pritjes, vetëm njëri nga aplikantët (nëse aplikoni si familje ose shoqëri) do të lejohet brenda për të paraqitur dokumentacionin, me përjashtim të rasteve kur aplikanti shoqërohet me fëmijë nën moshën 16 vjeç, ose në raste të tjera të veçanta. Pjesëtarët e tjerë (duke përfshirë të afërmit, shoqëria, bashkëpunëtorë, avokatë, etj.) nuk do të lejohen të hyjnë në ndërtesë, vetëm në rastet kur kërkohen nga zyrtarët konsullorë.

Pyetje të shpeshta për konsullin
Pyetje: A mundem të kërkoj një takim më përpara ose më vonë për intervistë? Nëse nuk paraqitem për intervistën e planifikuar, a mundem të kërkoj një takim të ri për intervistë?
Nëse një aplikant dëshiron të planifikojë një takim të ri të intervistës për vizë, ai apo ajo duhet të ndjekë udhëzimet në faqen “Si të aplikoni”. Instruksionet për takime normale dhe të përshpejtuara mund t’i gjeni këtu.

Pyetje: Çfarë është shqyrtimi administrativ dhe çfarë mund të bëj për ta afruar aplikimin tim?
Disa aplikime për vizë kërkojnë një shqyrtim administrativ, që aplikimi për vizë kërkon kohë të mëtejshme pas intervistës nga zyrtari konsullor. Kandidatët njoftohen për këtë kërkesë kur aplikojnë. Në të shumtën e rasteve merret një vendim për shqyrtimin administrativ brenda 60 ditëve të intervistës për vizë. Kur kërkohet shqyrtim administrativ, periudha kohore varion bazuar në rrethanat e veçanta të çdo rasti. Aplikantët për vizë këshillohen që të aplikojnë më herët për vizën e tyre, mjaftueshmërisht përpara datës së udhëtimit të parashikuar.

Njoftim i rëndësishëm: Përpara se të bëni pyetje hetuese për statusin e shqyrtimit tuaj administrativ, kandidatët apo përfaqësuesit e tyre do t’u duhet të presin të paktën 60 ditë nga dita e intervistës apo dorëzimi i dokumenteve plotësuese, cilado qoftë më vonë. Nëse ju kërkoni rreth një rasti që ka më pak se 60 ditë në pritjeje, ne nuk do të jemi në gjendje që t’i përgjigjemi kërkesës suaj.
Pyetje: Kam sjellë të gjitha dokumentet e kërkuara gjatë intervistës sime. Përse më kërkohet që të sjell dokumente të tjera?
Gjatë intervistës së vizës, oficeri konsullor përcakton nëse kërkohen dokumente shtesë që do ta ndihmojnë atë të vendosë që ju kualifikoheni për t’ju lëshuar një vizë. Dokumentet shtesë nuk janë të kërkuara me ligj. Megjithatë, aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentet shtesë që të ndihmojnë veten për të vërtetuar kualifikimin e tyre. Kur ju kërkohet të siguroni informata shtesë apo dokumentet plotësuese, kryesisht aplikimi juaj është refuzuar sipas nenit 221(g) të Emigracionit dhe Aktit të Kombësisë. Një fletë konsullore ju është dhënë pas intervistës që tregon dokumentacionin shtesë që ju duhet të paraqisni. Për këtë arsye që të zvogëloni shanset tuaja për t’u refuzuar, ne ju rekomandojmë që të sillni më parë të gjitha pasaportat tuaja (madje edhe ato që kanë skaduar), certifikatat e lindjes për të gjithë kandidatët që aplikojnë, financat tuaja, punësimin, apo dokumentet shkollore që të bëhet i mundur shqyrtimi nga zyrtari konsullor. Dokumentet në gjuhën shqipe që ju do të dorëzoni në zyrën tonë nuk duhet të jenë të përkthyera, me përjashtim kur do të udhëzoheni nga ne specifikisht duke ju vënë në dukje se kërkojmë përkthimin e tyre.

Pyetje: A mund të kualifikohem unë për një vizë turistike nëse jam në proces për një peticion emigrimi?
Kur je në proces për peticion emigrimi nuk ka bazë për një refuzim automatik të një vize joemigruese. Zyrtari konsullor kur rishikon aplikimin tuaj për vizë joemigrimi do të kërkojë dëshmi të forta se ju nuk synoni për të emigruar në atë moment dhe se ju do të ktheheni në Shqipëri pas planifikimit të vizitës suaj të përkohshme në Shtetet e Bashkuara. Nëse ju keni një peticion emigrimi në pritje dhe ju e fshihni këtë fakt nga oficeri intervistues, ju mund të zvogëloni shanset tuaja për të qenë një aplikant i besueshëm.

Pyetje: Periudha e vlefshmërisë së vizës sime emigruese nuk mbulon qëllimin për qëndrimin tim në Shtetet e Bashkuara.
Periudha e vlefshmërisë së vizës ka të bëjë vetëm me periudhën e kohës në të cilën mbajtësi mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara dhe të aplikojë për pranim. Ajo nuk përcakton kohëzgjatjen e qëndrimit. Kjo është një çështje për emigracionin e SHBA-ve në portin e hyrjes.

Pyetje: Si mund ta gjej se për sa kohë jam i autorizuar që të qëndroj në SHBA?
Një vizë nuk garanton hyrjen në Shtetet e Bashkuara, por lejon një shtetas të huaj që vjen nga jashtë, për të udhëtuar në portin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara dhe të kërkojë leje nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për të hyrë në SHBA. Zyrtarët Kufitarë dhe Mbrojtjes së Doganave (KMD) të SHBA-ve kanë autoritet për të lejuar apo mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe për të përcaktuar se sa kohë një udhëtar mund të qëndrojë. Në portin e hyrjes, për lejueshmërinë e hyrjes në SHBA, inspektori i emigracionit të SHBA nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ju vendos një kartë të vogël të bardhë në pasaportën tuaj, formën tuaj I-94, “Formulari I-94, rekordet e hyrjes dhe largimit nga SHBA”. Për udhëtarët që kanë statusin e Programit të Heqjes së Vizës marrin Formën I-94W. Në këtë formular, inspektori i emigracionit amerikan regjistron ose një datë ose “K/S” (kohëzgjatja e statusit). Nëse I-94 juaj përmban një datë të caktuar, atëherë kjo është data në të cilën ju duhet të largoheni nga Shtetet e Bashkuara. Forma juaj I-94 ose I-94W është një dokument shumë i rëndësishëm për të mbajtur në pasaportën tuaj, pasi ajo tregon lejen tuaj që të qëndroni në SHBA. Kontrolloni informacionin në lidhje me pranimin në faqen e internetit të “Sigurimit të kufijve të Amerikës”. Gjithashtu, lexo “Kohëzgjatja e qëndrimit”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: