Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka rikthyer Kubën në listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Kuba futet në listën e zezë për “mbështetje të vazhdueshme të akteve të terrorizmit ndërkombëtar”, duke i strehuar të arratisurit amerikanë, si dhe udhëheqësit e grupit rebel të Kolumbisë, ELN.

Pompeo po ashtu përmendi mbështetjen e Kubës për presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, të cilin SHBA-ja refuzon ta njohë.

Në përgjigje, ministri i Punëve të Jashtme i Kubës, Bruno Rodriguez, tha se e dënon “kualifikimin cinik dhe hipokrit të Kubës si një shtet sponsor i terrorizmit”.

Kuba është hequr prej listës së zezë nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në vitin 2015, por Trump ka marrë një qëndrim më të ashpër ndaj këtij vendi.

Që nga epoka e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ka ndjekur politika të ndryshme për të minuar Kubën, duke e parë atë si kërcënim të madh.

Kuba tani ribashkohet me Iranin dhe Korenë e Veriut në listën e sponsorëve të terrorizmit.

Ndikimet e kësaj përfshijnë kufizime të mëdha në investimet e huaja.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb